Presheva dhe Bujanovci: “Mirësevjen president!

Mijëra qytetarë të Bujanovcit e kanë pritur dje, presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, që arriti në qytet në orët e pasdites. Ai fillimisht u ndal të përshëndeste qytetarët që e pritën me ovacione.
Përpara ndërtesës së Kuvendit Komunal e priti kryetari i Bujanovcit, Shaip Kamberi dhe së bashku hynë në takimin që mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Bujanovcit.
Nga përfaqësuesit e qeverisë është i pranishëm Zoran Stankoviç, kryetar i Këshillit Koordinues për jugun e Serbisë. Pritet që edhe ai të takohet me Presidentin e Shqipërisë.
Presidenti Nishani është në vizitë në Bujanovc me ftesë të kryetarit të Bujanovcit, Shaip Kamberi. Ai do të takojë edhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu dhe gjatë ditës qëndroi edhe në Preshevë.
Nishani është presidenti i parë i Shqipërisë që viziton Serbinë, që nga viti 1948.
Në prag të vizitës, mediat serbe cituan kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu, të ketë thënë se Nishani “vjen për të parë kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në Serbi” marrë parasysh se “për shqiptarët, me Kushtetutë të Shqipërisë, duhet të përkujdeset shteti amë”.
Por, kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur ministri serb i Punës, Aleksandar Vulin, i cili ka deklaruar se Musliu “po nxit konflikte atje ku nuk ka” dhe se në Ballkan “sërish po zgjohet politika shqiptaromadhe”. Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç ka deklaruar se nuk pret “tensione të reja gjatë vizitës së paralajmëruar të presidentit të Shqipërisë në jugun e Serbisë”. Ai ka porositur se kjo vizitë nuk do ta cenojë sigurinë.
Stefanoviç në përgjigje të pyetjes nëse vizita e presidentit të Shqipërisë mund të shihet si “mundësi e tensioneve të reja”, ka thënë se shpreson se “nuk do të ketë provokime”. “Mysafirët tanë ndjehen të mirëseardhur në Serbi, pavarësisht nëse na pëlqen ajo që kanë për të thënë. Ata në territorin e shtetit tonë janë të sigurt”, tha Stefanoviç.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu tha para dy ditësh se Bujar Nishani do të ketë një numër takimesh me shqiptarët në Bujanovc e Preshevë, por jo edhe me përfaqësuesit e Beogradit zyrtar, të cilën e arsyetoi me faktin se në Serbi ka “nisur fushata parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale”.

Musliu: Nishani, presidenti ynë, jo Nikoliçi

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi, presidenti shqiptar, Bujar Nishani vizitoi Luginën e Preshevës.
Presheva dhe Bujanovca tashmë janë pushtuar me flamuj kuqezi dhe billborda të presidentit shqiptar, Bujar Nishani me mbishkrimet “Mirëse na vjen president!…”.
Këtë vizitë të shumëpritur të kreut të shtetit shqiptar e kanë mirëpritur edhe liderët e Luginës së Preshevës, të cilët e cilësojnë si një vizitë historike.
Ish-kreu politik i UÇPMB-së dhe aktualisht kryetar i Kuvendit të Bujanovcit dhe KKSH-së, z. Jonuz Musliu për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” ka deklaruar se, “Kosova Lindore ka festë. Këtë festë e kemi pritur që me shekuj që të na vizitojë një president shqiptar në Luginën e Preshevës dhe ja, më në fund u realizua ëndrra jonë. Ardhja e Nishanit në Bujanovc dhe Preshevë ka një domethënie të madhe, është kjo një vizitë historike, vizitë e mileniumit tonë, meqë ky shekull do të jetë i shqiptarëve”.
Musliu në këtë intervistë për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë” ka sqaruar se, “për shqiptarët e Luginës së Preshevës Nishani është president i yni e jo Nikoliçi. Nishanin ne nuk e presim si president të Shqipërisë, por të shqiptarëve. Si mund ta quajmë Nikoliçin president i ynë, kur ai na e kthen pushkën, kur kërkon luftë me shqiptarët?! Ai, sikur të ishte vërtet president i ynë, do ta kishte vizituar bile një herë Preshevën. E dini se gjatë historisë së Luginës së Preshevës, kurrë këmba e një presidenti të Serbisë nuk ka shkelur ?!..”.
“Prandaj, zoti Nishani është edhe president i yni, të cilit i dëshirojmë mirëserdhje si në shtëpinë e tij, bukë, kripë e zemër. Institucionet tona lokale, shoqatat e qytetarëve të gjitha përgatitjet i kanë bërë nga tepia e kuqe deri tek kërkesat tona për presidentin e shqiptarëve”, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” z. Musliu.
Se çfarë do të bisedojë dhe kërkon nga Presidenti Nishani, z. Musliu në vazhdim ka pohuar se, “bisedat do të përqendrohen kryesisht rreth intensifikimit të bashkëpunimit dhe vizitave më të shpeshta mes Tiranës dhe Preshevës. Natyrisht do të prezantoj problemet, shqetësimet tona në rrafshin kombëtar përballë politikave diskriminuese nga Beogradi. Derisa serbët kërkojnë ndihmë nga vëllezërit rusë armatim, tanke e MIG luftarakë, ne do t’i kërkojmë nga vëllezërit tanë shqiptarë në Tiranë përmes presidentit Nishani lapsa, fletore dhe libra…”.
Musliu në fund ka theksuar se “nga Nishani si një president i një vendi, tashmë me ndikim, anëtar i NATO-s, si një faktor kyç i paqes dhe stabilitetit në rajon, që në bashkëpunim me ndërkombëtarët të ushtrojnë presion në Serbi për të njohur diplomat e studentëve ku Beogradi dhe Prishtina që 5-6 vjet luajnë ping-pong politik në Bruksel me shqiptarët e Luginës duke avancuar statusin e serbëve në Kosovë”.

Nishani: Shqiptarët e Luginës së Preshevës, simbol i jashtëzakonshëm

Presidenti Bujar Nishani, i cili qëndron për vizitë në Luginën e Preshevës, deklaroi se vizita e tij është mesazh që tregon interesin e shtetit shqiptar të Republikës së Shqipërisë për të përmirësuar më tej marrëdhëniet me Republikën e Serbisë, raporton “Anadolu Agency” (AA). Presidenti Nishani në hapësirat e Komunës së Bujanovcit realizoi takim me kryetarin e kësaj komune, Shaip Kamberi, kryetarin e trupit koordinues në Qeverinë e Serbisë për Komunën e Bujanovcit, Preshevës dhe Medvegjës, Zoran Stankoviq si dhe me përfaqësues të tjerë institucional dhe politik. Presidenti shqiptar bëri të ditur se në këto takime ka theksuar rëndësinë e promovimit të bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit mes shtetit serb dhe atij shqiptar në këtë rajon. Ai theksoi se ajo që është arritur në interes të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, është në përgjegjësinë e lidershipit politik të çdo vendi dhe çdo populli ta shfrytëzojë për ta forcuar dhe për ta çuar më përpara. “Neve konsiderojmë komunitetin shqiptar në Luginë të Preshevës dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur çështjet e identitetit të tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe zakonet e tyre si një simbol i jashtëzakonshëm për të gjithë kombin shqiptar”, deklaroi Nishani. Nishani theksoi se vitet e fundit kanë ndodhur disa hapa të rëndësishme në përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, duke përmendur vizitën e kryeministrit shqiptar në Beograd dhe atij serb në Tiranë. Ai këto vizita i quajti dy momente që kanë treguar interesin e dy vendeve për të zhvilluar më shumë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. “Republika e Shqipërisë mbetet e interesuar dhe e angazhuar për të ndjekur me shumë vëmendje realizimin e të gjitha të drejtave që i takojnë pakicës shqiptare në Serbi, të gjithë shqiptarë në Luginën e Preshevës, atyre në Komunën e Bujanovcit, Preshevës dhe Medvegjës. Të drejtat për arsimim në gjuhën e tyre, të drejtat për respektimin e simboleve kombëtare, të drejtat për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të infrastrukturës, të cilat tashmë janë edhe çështje të diskutimit të programit mes dy qeverive, të Serbisë dhe të Shqipërisë”, porositi presidenti Nishani. Sipas Nishanit, këto pika të përkthehen në programe zbatimi në afate kohore konkrete në mënyrë që shqiptarët e kësaj zone të realizojnë këto të drejta dhe liri të cilat, siç theksoi ai, janë fundamentale për çdo njeri. “Ne shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët, boshnjakët, kroatët, ndajmë të njëjtin rajon dhe jetojmë jetën tonë në të njëjtin rajon. Është në të mirë të të gjithë popujve tanë, që ne të shikojmë tek e ardhmja, duke e ndërtuar këtë të ardhme mbi bazën e respektit reciprok, jo të urrejtjes dhe padurueshmërisë ndaj tjetrit, por përmes bashkëjetesës të ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë në një nivel ekonomik shumë herë më të mirë nga ajo që kemi sot”, tha Nishani. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi, vizitën e presidentit e quajti vizitë vëllazërore, ku dhe diskutuan për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, mundësitë e bashkëpunimit të komunave të Luginës me institucionet e Shqipërisë. Ai theksoi se, kjo vizitë shkon në interes të përmirësimit të raporteve ndërfqinjësore për të udhëtuar bashkërisht në të gjitha vendet e Ballkanit drejt Bashkimit Evropian.

Mbi 300 gazetarë ndjekin vizitën e Nishanit

Mbi 300 gazetarë shqiptarë, serbë dhe botërorë, bashkë me 300 forca policore dhe snajperistë po ndjekin vizitën e presidenti shqiptar.
Ashtu siç ishte paralajmëruar  presidenti shqiptar në orën 12 dje u gjend në mesin e shqiptarëve në Sheshin Skënderbe në Bujanovc, i cili u prit nga homologu i tij shqiptar, Shaip Kamberi, kryetar i Bujanovcit.
Duhet theksuar se vizita e presidentit shqiptar në Bujanovc dhe Preshevë ka zgjuar interesim të madh veç nga popullata edhe nga mediat shqiptare, serbe dhe ato botërore. Sipas agjencisë së lajmeve “Presheva jonë”, pos Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ATSH, vizitën po e ndjekin edhe mediat më të mëdha në Serbi “Tanjug”, televizoni “TRS”, si dhe mediat e tjera vendore “Presheva Jonë” dhe disa nga Kosova. Mësohet po ashtu se numi i gazetarëve është mbi 300, po aq edhe policë me uniformë dhe pa uniformë, përfshirë këtu edhe snajperistë.