Për Wenger vendoset në fund të sezonit

Të qëndrojë apo të largohet Arsene Wenger! Ky është debati i ndezur tek Arsenali pas “shuplakës” së dyfishtë me të njëjtin rezultat 5-1 që Topçinjtë morën në fazën e 1/8-ve të Championsit nga Bayerni i Mynihut. Vetë trajneri francez në një komunikim të fundit për mediat, është shprehur se protesta e tifozëve për largimin e tij do të influencojë në vendimin e tij përfundimtar, por gjithsesi nuk do të jetë faktori kryesor.
“Sigurisht që do të marr në konsidiratë çdo gjë. Sigurisht, që kërkesa e tifozëve nuk mund të jetë faktori kryesor që do të ndikojë në vendimin tim, por një arsye mund të jetë. Kam punuar me përkushtim për 20 vjet për t’i bërë të lumtur tifozët e Arsenalit, por kur i humbet ndeshjet e kuptoj se ata nuk mund të jenë të lumtur”.
FA Cup mbetet varka e shpëtimit për sezonin e Arsenalit, teksa për herë të shtatin vit radhazi topçinjtë janë eliminuar nga Championsi në raundit e 1/8-ve. 67-vjeçari e shpjegon këtë ecuri me faktin se gjithmonë shorti ka qenë i pamëshirshëm, duke e vënë skuadrën e tij përballë Barcelonës dhe Bayernit të Mynihut.
Për çështjen “Wenger” ka reaguar me një qëndrim zyrtar edhe drejtuesi kryesor i Arsenalit, Chips Keswick, që lë të kuptohet se francezi do të vijojë në këtë detyrë të paktën deri në fund të sezonit.
“Jemi të vetëdijshëm për faktin se vëmendja mediatike ndaj klubit tonë është e madhe dhe e kuptojmë debatin që është ndezur. Respektojmë edhe opinionet personale të tifozëve, por nuk duhet të vendosim interesat e klubit në radhë të parë. Arsene ka kontratë me klubin deri në fund të sezonit dhe çdo vendim do të merret dhe do të komunikohet në momentin dhe mënyrën e duhur”.