Për çfarë shërbimesh kërkojnë më shumë informacion shqiptarët?

Është ndoshta për t’u habitur, por afro 30-40% e njerëzve që qëndrojnë në radhë në Shqipëri janë aty vetëm për të marrë informacion. Njerëzit humbasin kohë duke pritur në radhë të gjata vetëm për të pyetur. Por cili është informacioni më i kërkuar prej tyre? Në numrin kombëtar 118-00 të hapur nga Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara (ADISA), i cili është krijuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve për të marrë informacion mbi 400 shërbime publike, telefonatat më të shpeshta janë për një kategori të caktuar.
DPGJC ose Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, është institucioni për të cilin shqiptarët kërkojnë më shumë informacion me gati 215 telefonata. Pyetjet mbi marrjen e çertifikatave, rinovimi i pasaportave dhe gjithçka që ka lidhje me gjendjen civile janë më të shpeshtat. Pas elementeve që kanë të bëjnë me identitetin, prona është çështja e dytë që ka më shumë mungesë informacioni.
ZRPP është institucioni me më shumë telefonata, kjo dhe për shkak të procesit të rivlerësimit, si dhe atij të legalizimit, proces për të cilin kërkohen informacione për mënyrën se si aplikohet, dokumentet që duhen, kostot etj. DPSHTRR dhe lejet e drejtimit renditen të tretat për nga numri më i madh i telefonatave të marra për informacion. Rinovimi i lejeve të drejtimit dhe procedurat e reja kanë bërë që shumë qytetarë të telefonojnë për të marrë informacionin e duhur për dokumentet që duhet të paraqesin në sportel, duke bërë që me një “alo” të shmangin radhët e gjata dhe kohën e humbur kot.
Që nga hapja e call center-it 118-00 në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar ka pasur më shumë se 3,000 kërkesa, ku institucioni për të cilin është kërkuar më shumë informacion është ZRPP, por edhe Gjendja Civile, DPSHTRR etj.