Senatori italian mesazh Mogherinit dhe Ramës

Senatori italian, Mario Mauro u është drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe shefes së diplomacisë së BE, Federica Mogherini përmes një statusi në Twitter. Pasi mori pjesë në çadrën e protestës ku shprehu mbështetjen për kauzën e opozitës, Mauro fajëson qeverinë për bojkotin e Kuvendit nga opozita. Në statusin e tij në Twitter, senatori italian thotë se qeveria shkeli standardet demokratike duke detyruar opozitën që të bojkotojë axhendën parlamentare. “Nuk bojkotoi opozita Kuvendin, por qeveria bojkotoi standardet demokratike!”, shkruan Mario Mauro në Twitter.
Ndërkohë, pas fjalës së senatorit Mauro në çadrën e lirisë, Basha ka ironizuar me kryeministrin Rama duke thënë se qeveria e tij po jep shpirt dhe kjo gjë vihet re mjaft mirë nga zëri i tij.  “Grahma dhe gulçe, i dëgjoni në zërin që dridhet të kryeministrit të Republikës së Vjetër” u shpreh Basha. Duke folur në emër të asaj që e quan Republika e Re, Basha bëri edhe një premtim, që në krye të vendit të zgjidhen të shkolluarit dhe jo të inkriminuarit.