Paloka: Së shpejti lajme të mira për kauzën e opozitës

Partia Demokratike e ka mbledhur grupin parlamentar dje në çadrën e lirisë të ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë. Bojkoti i Parlamentit nga opozita vazhdon, por njëkohësisht edhe akuzat nga çadra për qeverinë dhe ministrat e rinj. Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha se me ndryshimin e ministrave thjesht kanë ndryshuar bandat. “Thjesht kanë ndryshuar bandat, nga bandat e Saimir Tahirit tek bandat e Fatmirit. Ndaj ne jemi këtu, më të bindur dhe më të vendosur se kurrë për të arritur fitoren tonë dhe të shqiptarëve, zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ai. Paloka risolli deklaratat e kryeministrit Edi Rama në një emision pak ditë më parë, ku foli për armiq të Shqipërisë. Ai tha se mbështetja nga jashtë, konkretisht nga Uashingtoni, sa po vjen e po rritet. “E patë të shfazuar ditën që u detyrua të shkarkojë hajdutët dhe kriminelët e tij. E patë se si fliste në një emision televiziv për armiq të brendshëm e të jashtëm që mbajnë çadrën. Kush janë këta armiqtë e jashtëm që na kanë sjellë ne këtu. Të parët janë interesat e shqiptarëve, sigurisht janë edhe miqtë tanë nga Uashingtoni që na mbështesin për ato që kanë ndodhur në Shqipëri. Mbështetja sa po vjen e po rritet”, deklaroi deputeti demokrat. Ai paralajmëroi lajme të mira shumë shpejt për ato çfarë ka arritur opozita. “Sot më shumë se kurrë çdo ditë e më shumë ne jemi jo vetëm të vendosur, por të bindur, shumë shpejt miqtë e mi do të dëgjoni dhe lajme që të tregojnë se çfarë kemi arritur. Ne jemi të bindur se do të fitojmë”, deklaroi Paloka. Paloka deklaroi nga çadra e protestës se kryeministri Edi Rama i bëri ndryshimet në qeveri për shkak të presionit të opozitës. “Ndërrimet në qeveri erdhën nga presioni i çadrës”, tha Paloka, duke shtuar se gjithsesi, këto ndërrime, sipas tij, nuk sollën ndryshim. “Një ‘junior’ të krimit e zëvendësoi me një ‘senior’ të krimit, Fatmir Xhafën, me vëllain e një trafikanti droge. Rama e vuri ministër të Brendshëm, duke treguar se lidhjet e tij me krimin nuk janë shkëputur. Nga bandat e Saimir Tahirit, Rama ka kaluar te bandat e Fatmirit”, deklaroi Paloka.  “Jemi këtu të bindur për të arritur fitoren tonë dhe të shqiptarëve: zgjedhjet e lira e të ndershme”, shtoi Paloka.