Nishani uron Donald Tusk për rizgjedhjen në krye të KiE

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar Donald Tusk me rastin e rizgjedhjes në postin e lartë të Presidentit të Këshillit Evropian. “Rizgjedhja juaj, për një mandat të dytë si President i Këshillit Evropian, si dhe riemërimi si president i eurosamitit, më jep edhe një herë rastin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta për vijimin e përmbushjen me sukses të angazhimeve përkatëse. Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që i keni dhënë procesit të integrimit evropian për vendin tim dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Jam gjithashtu i bindur se, pavarësisht sfidave dhe çështjeve shumë delikate me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe institucionet e saj, vëmendja juaj do të vijojë të jetë domethënëse për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me gjithë përparimin thelbësor dhe raportet e reja pozitive ndërshtetërore, rajoni i Ballkanit Perëndimor, ka ende nevojë për një vëmendje dhe mbështetje më të qenësishme nga të gjitha strukturat e BE-së”, shprehet Nishani në mesazhin e tij.