Nishani: Korrupsioni luftohet vetëm kur ka vullnet

Në një leksion të hapur me studentë dhe pedagogë të universitetit të Gjirokastrës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u ndal te lufta ndaj korrupsionit. Kreu i shtetit thotë se ky fenomen mund të luftohet nëse ka vullnet dhe  përgjegjësi nga ata që drejtojnë institucionet. “Beteja më e madhe që duhet dhe kemi ne sot për shkak të mungesës dhe kësaj pabarazie midis potencialeve dhe realiteteve që kemi, armiku kryesor i këtij disproporcioni, i këtij dallimi, a është korrupsioni. Korrupsioni është një problem shumë serioz, por gjithmonë kam besuar se korrupsioni është një fenomen nuk zhduket te njeriu ajo që e quajmë në gjuhën popullore ‘tafmaja’ që ekziston gjithmonë, por mund të luftohet në mënyrën më efikase të mundshme nëse ka një vullnet, një dëshirë, dhe nëse proporcioni midis tafmasë dhe përgjegjshmërisë është më i lartë te përgjegjshmëria e individëve. Por mos ndoshta defekti më i madh në këtë disproporcion që kemi midis resurseve tona dhe kostos është mungesa e artit të menaxhimit të njerëzve tanë? Druaj se po! E gjithë bota investon në mënyrë të jashtëzakonshme në atë që quhet ‘skills management’, sepse çdo individ nuk është i pajisur me këtë potencial të aftësisë mjeshtërore, jo thjesht të planifikimit, por edhe të procesit të menaxhimit, resurset që Zoti na ka falur do të na shkojnë siç shkon ai uji në det, 70% për qind pa u shfrytëzuar. Kjo pikë që unë besoj se është problem themelor nuk mund të kuptohet më mirë, nuk mund të adresohet, nuk mund të kultivohet apo të injektohet më mirë tek mentaliteti i shoqërisë apo mënyra e sjelljes së saj se sa tek akademia, se sa te jeta universitare, te profesorët dhe studentët, të cilët jo vetëm marrin dije, por fillojnë se sa të rëndësishëm janë ata për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë. Edhe duke kuptuar se standardi i 10 viteve më pas, kur studentët e tanishëm do të jenë pjesa më aktive e jetës shoqërore, do të jetë një standard shumë herë më i zhvilluar në të gjitha dimensionet. Por një standard, i cili do të ketë edhe sfida më të mëdha e më të shumta. Prandaj unë nga auditorët universitarë jam përpjekur të përcjell mesazhin se sa e rëndësishme është që të fillojmë të mendojmë për një qasje më të drejtëpërdrejtë në përballimin e kësaj sfide: mangësitë që kemi ne në aftësitë menaxheriale të punëve, aftësive, kapaciteteve tona infrastrukturore dhe intelektuale. Pa e pasur këtë zhvillim ekonomik, edhe sfidat, edhe të gjitha proceset e tjera reformuese do të fillojnë e të mbeten o të ngadalta, o të pasigurta, o të pashëndetshme. Kemi arritje në këto 25 vjetët e fundit dhe padyshim të gjitha këto mangësi nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e pesimizmit tonë. Por një shoqëri si e jona, me kapacitetet që ka, edhe me vitalitetin që gëzojmë, e ka të mundur plotësisht që të ketë disa standarde shumë herë më të mira e më të mëdha, për secilin prej nesh, për familjen e secilit prej nesh” tha Nishani. Në lidhje me integrimin evropian Presidenti Nishani theksoi se: “Për ne shqiptarët ky është procesi më i mirë i mundshëm e më ndihmues. Ndoshta është edhe një shans që në rajonin, në kohën, në shoqërinë ku jetojmë e kemi një mekanizëm të tillë të pranishëm. Një mekanizëm shumë i mirë, që krijon një mundësi besimi te qytetarët shqiptarë që në një të ardhme jo të largët, Shqipëria dhe shqiptarët të gëzojnë të gjitha standardet sivendet anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk mundemi ta konsiderojmë integrimin evropian si një akt vetëm politik, si një dekret presidencial, si një votim parlamentar apo thjesht si një mundësi lëvizjeje në kufij të hapur. Por kemi një proces të gjatë dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm e të bindur që nëse shoqëria shqiptare nuk demonstron një standard të arrirë brenda disa kritereve, ne do ta kemi shumë të vështirë jo thjesht për t’u bërë pjesë formale e një hapësire që quhet sot Bashkimi Evropian, por për të bindur qytetarët tanë shqiptarë, veçanërisht të rinjtë, që kapacitetin e tyre intelektual, dëshirën vullnetin e tyre dhe gjithçka që ata dëshirojnë, ta zhvillojnë brenda hapësirave të këtij vendi, që jo pa qëllim e përmenda fillimisht, nuk i ka të pakta resurset edhe mundësitë për gjithësecilin prej nesh” u shpreh kreu i shtetit.