Ndërtimi mbi rrugë, paditet penalisht Filo

Kallëzues: Grupi parlamentar i Partisë Demokratike Përfaqësuar nga z. Edi Paloka, kryetar i Grupit

Me objekt: Kallëzim i veprës penale “Shkatërrim i pronës”, “Shpërdorimi i tokës”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shpërdorim i detyrës” të parashikuara nga nenet 150, 199, 199/a dhe 248 të Kodit Penal

Kundër:    Sotiraq Filo, me detyrë kryetar i Bashkisë Korçë

I nderuar z. Prokuror,

Bazuar në nenet 280 dhe 283 të K.Pr.Penale parashtrojmë këtë kallëzim penal për veprën penale të sipërcituar, duke parashtruar rrethanat e fakteve konkrete ku bazohet kallëzimi, provat me të cilat vërtetohen këto fakte, si dhe dispozitat ligjore penale të cenuara.

Analiza ligjore e fakteve

Është shumë e rëndësishme jo vetëm për ne, por dhe për çdo qytetar të këtij vendi, që në momentin që vihet në dijeni të kryerjes së një vepre penale, aq më shumë kur ajo konsumohet nga subjekte, të cilat kanë si prerogativë mbizotërimin e ligjit dhe duhet të garantojnë zbatimin e tij, të bëjë ai vetë kallëzimin penal. I takon Prokurorisë më pas marrja e të gjitha masave për dënimin dhe vënien para drejtësisë së autorëve, pavarësisht funksioneve të tyre apo pozitës që gëzojnë.
Në bulevardin “Republika”, Bashkia e Korçës ka nisur ndërtimin e “Qendrës polifunksionale dhe e shërbimeve”, me një sipërfaqe totale prej 511 m2, nga të cilat 190 m2 bie mbi rrugë dhe 170 m2 bien mbi trotuar. Për këtë qëllim, Bashkia Korçë më datë 25.01.2017 i ka propozuar Këshillit Bashkiak një projektvendim të nënshkruar nga kryetari i Bashkisë Korçë, për ndryshimin e destinacionit nga rrugë dhe trotuar, në truall, të sipërfaqes prej 360 m2 të ndodhur në bulevardin “Republika”.
Projektvendimi i datës 25.01.2017 nuk rezulton të jetë miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe madje nuk është hedhur fare në votim, siç provon edhe procesverbali i mbledhjes së datës 25.01.2017 i Këshillit Bashkiak Korçë. Mirëpo, kjo nuk ka penguar Bashkinë Korçë, që pa asnjë miratim nga Këshilli Bashkiak, të shkatërrojë rrugën dhe trotuarët, duke nisur kështu ndërtimin e një projekti, i cili nuk është miratuar.
Aktualisht, Bashkia Korçë, siç tregojë edhe fotot bashkëlidhur, ka shkatërruar tërësisht sipërfaqen prej 360 m2 rrugë dhe trotuare, duke ndryshuar pa vendim të Këshillit Bashkiak, destinacionin e kësaj pasurie publike. Ndërtimi i objektit që ka nisur prej disa ditësh, është duke u kryer pa asnjë leje paraprake ndërtimi, pa asnjë miratim nga Këshilli Bashkiak, si dhe në shkelje flagrante të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, dhe Ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Në kushtet kur Bashkia Korçë, në shkelje flagrante të procedurave të parashikuara në Ligjin nr. 139/2015 dhe 107/2014, ka nisur punimet, vlerësojmë se jemi përpara veprimeve kriminale, me pasoja të rënda për interesin publik dhe që parashikohen nga Kodi Penal si veprime të ndëshkueshme penalisht. Konkretisht:
Së pari, prishja e rrugës dhe trotuarit, pa një vendim të Këshillit Bashkiak për ndryshimin e destinacionit të tyre, përbën shkatërrim me dashje të pronës publike, duke sjellë dëme materiale të rënda për hapësirën publike të qytetit të Korçës. Ky veprim i kundërligjshëm përbën të gjitha elementët e veprës penale, të parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal.
Së dyti, nisja e punimeve, duke shkatërruar rrugën dhe trotuarin, me qëllim ndërtimin e një objekti mbi të, pa ndryshuar destinacionin e kësaj prone publike, përbën shpërdorim të tokës në kundërshtim me destinacionin e saj dhe për pasojë veprimi i Bashkisë Korçë përbën të gjitha elementët e veprës penale të parashikuara nga neni 199 i Kodit Penal.
Së treti, ndërtimi i objektit që ka nisur prej disa ditësh, është duke u kryer pa përmbushur asnjë nga procedurat ligjore për realizimin e këtij objekti dhe pa leje ndërtimi. Për pasojë, ai konsiderohet ndërtimi pa leje, i kryer në tokën publike ose shtetërore dhe që është i dënueshëm sipas nenit 199/a të Kodit Penal.
Së katërti, kryerja e veprimeve në kundërshtim me ligjin, si dhe mosndjekja e procedurave të parashikuara nga Ligji nr. 139/2015 dhe 107/2014, nga ana e kryetarit të Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, për realizimin e këtij objekti, përbën elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal. Kryetari i Bashkisë Korçë, edhe pse është në dijeni të faktit që Këshilli Bashkiak Korçë nuk ka miratuar ndryshimin e destinacionit të 360 m2 rrugë dhe trotuar, edhe pse i papajisur me leje ndërtimi për realizimin e objektit në atë truall, ka lejuar dhe urdhëruar në kundërshtim me ligjin, nisjen e punimeve, shkatërrimin e rrugës dhe trotuarëve, si dhe përdorimin e pronës publike duke kryer ndërtime në kundërshtim me destinacionin e asaj sipërfaqe pronë publike.
Ndërtimi që po kryhet në qendër të qytetit të Korçës, përbri godinës së Këshillit të Qarkut Korçë, është në kushtet e plota të paligjshmërisë, për shkak se ka cenuar dhe prishur lulishten, trotuarin dhe bulevardin (pronë publike), pa asnjë vendim të Këshillit Bashkiak. Sipërfaqja ku po kryhet ndërtimi, vijon të jetë e regjistruar në ZRPP Korçë, përkatësisht si rrugë (190 m2), trotuar (170 m2) dhe truall në pronësi të Këshillit të Qarkut Korçë (150 m2).
Në këtë mënyrë, shtetasi Sotiraq Filo ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë shkatërrim të pronës, shpërdorim të pronës publike, ndërtim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre, veprime apo mosveprime këto që cenojnë rëndë interesin e shtetasve dhe shtetit. Në këtë mënyrë, Sotiraq Filo ka konsumuar plotësisht anën objektive të veprave penale të parashikuara nga nenet 150, 199, 199/a dhe 248 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, ekziston edhe lidhja shkakësore e drejtpërdrejtë midis veprimeve të kundërligjshme të tij dhe dëmtimit me dashje dhe ndërtimit të paligjshëm që po kryhet në një pronë publike. Ky rast përbën kështu jo vetëm një shkelje të rëndë që i bëhet sistemit juridik penal në Shqipëri, por edhe cenon rëndë besimin e shtetasve te ligji dhe te sistemi i marrëdhënieve të vendosura për mbrojtjen e tij, pasi cenimi vjen drejtpërdrejt nga një funksionar i lartë publik.
Subjekt i veprës penale është i kallëzuari nga ana jonë, që ushtron detyrën e kryetarit të Bashkisë Korçë. Subjekti i veprës penale për shkak të pozicionit të lartë publik dhe përgjegjësive që gëzon, jo vetëm duhet të zotërojë një njohje perfekte të legjislacionit, por duhet që me anë të sjelljes së saj, e materializuar kjo në veprime, të bëhet promotor i zbatimit model të ligjit për shkak edhe të influencës mbi masën e gjerë të kolektivitetit.
Ana subjektive e veprës penale, dashja në kryerjen e këtyre veprave penale tregohet qartë nga fakti se pavarësisht propozimit që ai ka kryer në mbledhjen e datës 25.01.2017 të Këshillit Bashkiak, ky propozim nuk është mbështetur dhe votuar nga Këshilli Bashkiak.

Thirrja e grupit parlamentar të PD për kryeprokurorin

Me anë të këtij kallëzimi që ju paraqesim, marrim përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët besojnë se vetëm zbatimi i ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë. Të atyre qytetarëve, të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë. Ne besojmë se përpara ligjit jemi të gjithë njësoj, si kryetari i Bashkisë Korçë ashtu dhe çdo qytetar i thjeshtë i atij qyteti. Përfundimisht, nga sa analizuam më sipër rezulton se janë ezauruar të gjitha elementet e veprave penale konkrete të përcaktuara në objektin e këtij kallëzimi penal.
Për këtë arsye, nga ana e organit të Prokurorisë kërkojmë:
Regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj personit të kallëzuar – shtetasit Sotiraq Filo, me detyrë kryetar i Bashkisë Korçë, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara më sipër, si dhe të procedurave të prokurorimit për realizimin e këtij ndërtimi.
Në mbështetje të pikës 1, të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “kur ka rrezik që disponimi i lirë i një sendi që lidhet me veprën penale mund të rëndojë ose të zgjasë pasojat e saj ose të lehtësojë kryerjen e veprave penale të tjera, me kërkesën e prokurorit, gjykata kompetente urdhëron sekuestrimin e tij me vendim të arsyetuar”, organi i Prokurorisë të kërkojë vendosjen e sekuestros preventive mbi pasurinë e paluajtshme ku po realizohet ndërtimi i objektit “Qendrës polifunksionale dhe e shërbimeve”, në bulevardin “Republika”, Korçë, duke mos lejuar vazhdimin e punimeve për të gjithë objektin, për shkak se vijimi i punimeve rëndon më tepër shkatërrimin dhe shpërdorimin e pronës publike.
Ne shprehim gjithë besimin se institucioni juaj, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim dhe e presim me vëmendje maksimale dhënien rrugë të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse.

Ligjet që ka shkelur kryebashkiaku i Korçës

Kodi i Procedurës Penale, në nenet 280 dhe 283 e tij parashikon se:
Neni 280
Marrja dijeni për veprën penale
Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.

Neni 283
Kallëzimi nga ana e shtetasve
Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.

Nga ana tjetër Kodi Penal në dispozitat e tij parashikon se:

Neni 150
Shkatërrimi i pronës
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 199
Shpërdorimi i tokës
Shpërdorimi i tokës në kundërshtim me destinacionin e saj përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 199/a
Ndërtimi i paligjshëm
Ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, dënohet me burgim deri në një vit.
Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Me respekt,

Kallëzues
Edi Paloka