Mziu nderon Afërdita Gjurrën, antikomunisten dhe intelektualen e diasporës

I jepet “Mirënjohja e Qytetit”. Afërdita është vajza e Adem Gjurrës, anëtarit të Kompanisë 4000 dhe kryetar i Misionit të Parë të organizuar prej Komitetit Shqipëria e Lirë dhe Mbreti Zog për rrëzimin e regjimit komunist

Kryebashkiaku Xhelal Mziu nderon me certifikatën “Mirënjohja e Qytetit” antikomunisten dhe intelektualen e shquar të diasporës Afërdita Gjurra, e rritur me dashurinë për atdheun. Ajo u vlerësua “Për kontributin e saj, në mbështetje të vlerave të demokracisë, si disidente, intelektuale, në ruajtjen e integritetit kombëtar”.
Afërdita një shqiptaro-amerikane antikomuniste dhe intelektuale e shquar, me banim në SHBA, është vajza e Adem Gjurrës, atdhetar, nga Reçi i Dibrës, i cili jo vetëm që nuk u pajtua asnjëherë me regjimin komunist, por sakrifikoi jetën e tij për ta rrëzuar atë sistem që sapo kishte hedhur rrënjë.
Adem Gjurra ishte anëtar i Kompanisë 4000, krijuar nga Komiteti Shqipëria e Lirë për çlirimin e vendit nga komunizmi, anëtarët e së cilës stërviteshin nga anglo-amerikanët me më pas desantoheshin në Shqipëri. Njëri prej tyre ishte dhe Adem Gjurra, babai i Afërditës, i cili si anëtar i Kompanisë 4000 u desantua në Martanesh, ku ishte edhe kryetar i Misionit të Parë të organizuar prej Komitetit Shqipëria e Lirë dhe Mbreti Zog për rrëzimin e regjimit komunist të sapoinstaluar në vendin tonë. Më 20 shkurt, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nderoi me Dekoratën e Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pjesëtarët e “Kompanisë 4000”.
“Në shenjë vlerësimi të lartë për kontributin e vyer dhe të pamohueshëm në përpjekje për rrëzimin e shtetit diktatorial hoxhist në Shqipëri, duke nxjerrë në pah vlera të çmuara atdhetare si dhe duke sakrifikuar jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe euroatlantike”. Në këtë ceremoni përshëndeti edhe Afërdita Gjurra në emër të familjarëve të anëtarëve të Kompanisë 4000.