Mrekullia Monako

Tjetër rezultat triller në fazën e 1/8-ve të Champions League. Francezët e Monakos bënë mrekullinë në stadiumin “Luigji II”, duke mundur 3-1 Mançester Sitin e Pep Guardiolës, që duhet t’i thotë lamtumirë kompeticionit me rezultat të përgjithshëm 6-6, me skuadrën nga Principata që favorizohet nga numri më i madh i golave të realizuar në fushën kundërshtare.
Edhe pse ishin mundur 5-3 në “Etihat Stadium”, kryesuesit e kampionatit francez arritën të fitonin me 2 gola diferencë, duke realizuar dy herë që në pjesën e parë. Në minutën e 8-të talenti i Monakos, Mbape devijoi në rrjetë në zonën e portierit një pasim të Bernardo Silvas. Pa u mbushur gjysmë ore lojë Fabinho shënoi të dytin për vendasit i shërbyer nga e majta e sulmit nga Mendy.
Mançester Siti u zgjua në pjesën e dytë dhe pasi shpërdori disa raste të pastra arriti të shkurtonte diferencën në 2-1 me Sane në minutën e 71-të. Ky gol do t’i vlente kualifikimin skuadrës së Pep Guardiolës, por Monako shfrytëzoi më së miri një goditje standarde me Bakayokon, që e çoi topin me kokë atje ku nuk mund ta arrinte Caballero. Një eliminim i turpshëm ky për Cityzens, që nuk mundën ta shfrytëzonin epërsinë e takimit të parë.
Monako shkon në çerekfinale, Mançester Siti kthehet në shtëpi. Është ky verdikti i ndeshjes së kthimit për 1/8-at e Ligës së Kampioneve. Në stadiumin “Luigji II” vendasit triumfuan 3-1 në fund të një 90-minutëshi fotokopje të atij të para tri javëve në Angli. Edhe pse pa të dëmtuarin Falkao, skuadra nga Principata e nisi me vrull dhe gjeti epërsinë që në minutën e tetë me të zakonshmin Mbape, i cili realizoi golin e 11-të në po kaq ndeshje radhazi në të gjitha garat.
Në të 29 Fabinjo shënoi edhe të dytin, që do të ishte i mjaftueshëm për ekipin e Leonardo Zhardimit pas humbjes 5-3 në takimin e vajtjes. Leroi Sane riktheu avantazhin në anën e Sitit në minutën e 71-të, mirëpo gëzimi i anglezëve zgjati pak, pasi Bakajoko i ndëshkoi në të 77-n.
Me rezultatin e përgjithshëm 6-6 Monako siguron biletën e kualifikimit, ndërsa të besuarit e Pep Guardiolës bëhen e para skuadër në historinë e Champions-it që del nga gara pasi shënon pesë gola në ndeshjen e parë. Trajneri spanjoll, ndërkaq, nuk e sheh veten në çerekfinale për herë të parë në karrierë.
Kualifikohet sikurse pritej në çerekfinale të Championsit Atletico e Madridit, që barazoi 0-0 në “Vicente Calderon” me Bayer Leverkusenin, me Los Colchoneros që vinin të avantazhuar nga fitorja 2-4 e sfidës së parë në fushën e Aspirinave.