Moxhi mbetet përjetë jashtë futbollit

Njëmbëdhjetë vjet pas “Calciopolit” vjen edhe verdikti i fundit. Bëhet fjalë për një konfirmim, ose më saktë, për një apelim të rrëzuar. Këshilli i Shtetit, me një vendim të publikuar dje ka konfirmuar vendimin e drejtësisë sportive për ta përjashtuar përjetësisht Luçiano Moxhin nga çdo veprimtari që ka lidhje me futbollin italian.
Ish-drejtuesi i Juventusit qe përpjekur të dilte nga ombrella e drejtësisë sportive, duke e apeluar dënimin e marrë prej saj në shkallët civile të gjykatave italiane. Megjithatë Këshilli i Shtetit ka vendosur ta lërë në fuqi vendimin e dhënë më 11 maj 2012 nga Gjykata Federale e Federatës Italiane të Futbollit. Në këtë mënyrë, karriera në futboll e 79-vjeçarit Moxhi është përfundimisht e mbyllur.