Mosbindje civile, s’ka zgjedhje farsë

Opozita nuk lëviz nga qëndrimi i saj për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dje kreu i PD, Lulzim Basha mblodhi një tryezë pune me partitë aleate për të vendosur aksionin opozitar në vijim. Gjatë takimit, koalicioni opozitar ka vendosur që të forcojë edhe më tej hapat në drejtim të mbrojtjes së kauzës për krijimin e një qeverie teknike, duke vendosur ngritjen e kuvendeve qytetare në çdo qytet të vendit. Roli dhe misioni i këtyre kuvendeve do të jetë ngritja dhe mbrojtja e kauzës për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Përmes një njoftimi për mediat të shpërndarë nga zyra e shtypit të PD, bëhet e ditur se në vijim të kauzës së ngritur në protestën e 18 shkurtit, kauzë të cilës iu bashkuan me mijëra shqiptarë, koalicioni opozitar është i vendosur për të mos lejuar mbajtjen e asnjë procesi zgjedhor në rast se ai nuk do të organizohet nga një qeveri teknike.
“Koalicioni opozitar vendosi ngritjen e Kuvendeve Qytetare për Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme anembanë Shqipërisë, me përfaqësues të spikatur të komunitetit dhe të gjithë grupeve të interesit, si pjesë e lëvizjes popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Koalicioni opozitar ritheksoi vendimin e marrë nga bashkimi popullor i 18 shkurtit, se vetëm një qeveri teknike që do të zbatojë plotësisht dekriminalizimin dhe do të angazhohet në luftën ndaj drogës, krimit dhe parave të paligjshme kriminale, mund të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Koalicioni opozitar shpreh vendosmërinë për të mos lejuar asnjë proces zgjedhor të manipuluar nga krimi në pushtet dhe paratë e drogës dhe për të vazhduar deri në fitore betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme si interes jetik i Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Cili do të jetë roli i Kuvendeve Qytetare për Zgjedhjet

Kryetari i opozitës ka shpjeguar mbrëmë në Sheshin e Lirisë rolin që do të luajnë Kuvendet. “Vendimi përbëhet nga dy pjesë. E para; organizimin në të gjithë territorin e Shqipërisë të Kuvendeve Qytetare për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme. Këto kuvende do të jenë hapësirat e lirisë ku do të bashkohen qytetarë, do të bashkohen punëdhënës dhe punëmarrës, të papunë, të rinj e të reja, intelektualë, akademikë, artistë, sportistë, fermerë, pensionistë, për t’i dhënë thellësi dhe qendresë qëllimit tonë madhor, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike. Këtu do të marrë formë përmes kontributit të çdo shqiptari Republika e Re, republika e vlerave europiane, republika e barazisë së qytetarëve para ligjit, republika e kufizimit të pushtetit për politikanët dhe fuqizimit të pushtetit politik dhe ekonomik për qytetarët.
Në këto forume, gjithkush ka mundësinë, është i mirëpritur dhe i thirrur të jetë pjesë e hartimit të këtij projekti të madh kombëtar. Nuk është e nuk mund të jetë kurrë, as monopol i Lulzim Bashës, as monopol i Partisë Demokratike dhe as monopoli i opozitës, Republika e Re është që nga gjeneza, kërkesa juaj e do të jetë projekti i çdo shqiptari”, tha Basha.

Dita e 20 e protestës në Sheshin e Lirisë

Opozita futet në ditën e 20 të protestës dhe qëndresës së saj në çadrën e lirisë, duke vijuar betejën e saj për krijimin e një qeverie teknike, si e vetmja zgjidhje që do të mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kauzës së opozitës i janë bashkuar me mijëra shqiptarë nga Veriu në Jug të vendit, të cilët kërkojnë largimin e kësaj qeverie dhe hapjen e rrugës për nisjen e ndryshimit.
Varfëria, papunësia, pamundësia për të plotësuar nevojat më jetike për të mbijetuar kanë ngritur gjithë shqiptarët në protestë kundër keqqeverisjes. Është populli shqiptar që kërkon ndryshimin, ndaj dhe i është bashkuar kauzës së ngritur nga opozita për të mos lejuar që mjerimi që ka përfshirë familjet e tyre të vijojë edhe më tej përmes vjedhjes së zgjedhjeve nga krimi në pushtet. Mbështetja popullore ndaj kauzës për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme sa vjen dhe rritet përditë. Janë të gjithë shtresat e shoqërisë, që këto ditë kanë dëshmuar se do të qëndrojnë fort deri në garantimin e zgjedhjeve të lira.
Studentë, arsimtarë, mjekë, intelektualë, pensionistë, gazetarë etj., kanë qenë të pranishëm në çadrën e lirisë nga ku kanë përcjellë mesazhin se vetëm një qeveri teknike mund të shpëtojë zgjedhjet e qershorit, të cilat janë të kërcënuara nga paratë e krimit dhe drogës të lidhur ngushtë me pushtetin e sotëm.
Një mbështetje të fuqishme opozita ka marrë edhe nga partnerët ndërkombëtarë, e veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kongresi dhe Senati amerikan po ndjek me shqetësim situatën dramatike në të cilën është përfshirë Shqipëria, ndërsa i ka shprehur kreut të PD, Basha, mbështetjen e fuqishme për kauzën e ngritur për zgjedhjet e lira, duke e inkurajuar atë në vijimin e kësaj beteje deri në fitoren e saj.

Zgjedhje fasadë me krimin nuk do të ketë

Kryetari i opozitës ka shpjeguar mbrëmë vendimin e dytë të rëndësishëm të marrë në tryezën e koalicionit qeverisës. Opozita ka vendosur mos bindje të plotë civile dhe rezistencë qytetare për të mos lejuar me të gjitha mjetet popullore mbajtjen e zgjedhjeve të diktuara nga krimi. “Vendimi i dytë i opozitës së bashkuar nuk është bojkoti i zgjedhjeve. Jo more zotërinj, nuk do tia hidhni kaq lehtë. Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin, nuk do të ketë. Qytetarët shqiptarë janë të vendosur. Rezistenca civile, mosbindja civile, armata e republikës së re do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore, zgjedhjet me krimin, zgjedhjet me drogën dhe zgjedhjet fasadë. Ua kemi dhënë paralajmërimin nga ky shesh më 18 shkurt. Ua përsërisim ditë për ditë, e natë për natë. Ngule mirë në mendje. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më në Shqipëri”, tha Basha.
Kryetari i opozitës i ka bërë trhirrje Ramës të zbresë me këmbë në tokë, pasi hesapet i ka bërë pa hanxhinë. “I ke bërë hesapet pa popullin, ose siç thotë populli pa hanxhinë. Populli është këtu, vendimi është marrë, zbrit me këmbë në tokë. Shqiptarët nuk i dorëzohen më dëshpërimit. Askush nuk do të vrasë më veten për gjëmat e qeverisjes tënde. Të gjithë bashkë, do të vrasim republikën e vjetër, siç kemi vrarë frikën. Dhe do t’i japim shqiptarëve atë që duan dhe meritojnë, republikën e re ku ka vend për të gjithë”, tha Basha.

Partitë në qeveri, Milo: Nuk ka kushte për zgjedhje të lira, të shtyhen

Jo vetëm opozita, por edhe aleatët e Ramës i druhen një manipulimi zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme. Këtë herë, ka qenë kryetari i PDS, Paskal Milo, i cili gjatë një takimi me OSBE-ODIHR-in, ka kërkuar shtyrje të zgjedhjeve parlamentare, pasi sipas tij klima politike nuk është e favorshme për kryerjen e zgjedhjeve. Ndër të tjera, Milo u shpreh se nuk ekzistojnë më kushte optimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Propozimi ynë është shtyrja e zgjedhjeve për të gjetur kompromiset e nevojshme politike, për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe zbatimin e vettingut”, tha Milo. Nuk kanë qenë të pakta herët që edhe aleatët e Ramës janë ankuar për vjedhje votash në zgjedhjet parlamentare, por edhe ato lokale, nga vetë partia që kryeson koalicionin PS. Partia e Paskal Milos, në dy zgjedhjet e fundit ka qenë rreshtuar në koalicionin e udhëhequr nga Rama dhe është njëra prej tyre që ka vuajtur nga vjedhja e votës nga vetë partia që duhej t’i mbronte. Nga ana tjetër nuk është vetëm Milo, por edhe aleatët e tjerë të vegjël, të cilët janë të pakënaqur nga mënyra se si po organizohen zgjedhjet në vend. Nën zë ata pranojnë, se Rama po i përdor vetëm për të maksimizuar votën, por në fund votat e tyre shkojnë për të zgjedhur të preferuarit e Ramës, duke tjetërsuar vullnetin e zgjedhësit. Shumë nga këto parti, në zgjedhjet e fundit nuk mundën të marrin asnjë deputet, por edhe rezultati në zgjedhjet lokale ishte zhgënjyes. Alarmi se Rama po përgatit manipulimin e zgjedhjeve ka ardhur dhe nga zëra të tjerë brenda së majtës. Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë, paralajmëroi futjen e parave të drogës dhe përdorimin e tyre në fushatë. Një alarm tjetër ka dhënë dhe ish-deputeti i PS-së, Ben Blushi, kur ka folur për interferimin e elementit kriminal dhe të parave të pista në fushatë.