Mertens nuk rinovon

Me 24 gola në 34 ndeshje Dries Mertens edhe pse nuk është një qëndërsulmues e ka zëvendësuar në mënyrën më të mirë Gonzalo Higuain-in te Napoli në këtë sezon. Belgu shtatshkurtër pas dëmtimit që pësoi Milik në fillim të sezonit, ka mbajtur mbi supe peshën e sulmit të skuadrës së Sarrit, duke u kthyer në një makth për mbrojtjet dhe portierët e skuadrave kundërshtare. Në San Paolo tifozët e adhurojnë, por ashtu si Higuain verën e kaluar edhe Mertens mund t’i japë lamtumirën Napolit në fund të këtij sezoni.
Belgut i skadon kontrata aktuale me klubin e kaltër në verën e vitit 2018 dhe gjasat janë që 29-vjeçari të mos rinovojë me Napolin. Për të firmosur marrëveshjen e re, lojtari i ka kërkuar presidentit De Laurentis një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon, ndërkohë ky i fundit nuk i ofron më shumë se 2,5 dhe madje në marrëveshjen e re kërkon të përfshijë një klauzolë largimi prej plot 50 milionë eurosh, për klubet e interesuara jashtë Italisë.
Napoli në këtë mënyrë të humbasë lojtarin më të mirë të këtij sezoni me tifozët e kaltër që mund të përjetojnë një tjetër zhgënjim të madh pas lamtumirës së Higuain vitin e kaluar. Mertens kërkohet me ngulm nga Interi me Stefano Piolin, që e ka vendosur belgun në krye të listës së dëshirave për merkaton e verës së ardhshme. Por, për sulmuesin që në maj do të mbushë 30 vjeç interesohet edhe Manchester United, madje Djajtë e Kuq janë gati t’i ofrojnë Mertens-it 4 milionë euro në sezon nëse vendos të transferohet në “Old Trafford”.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Zhang Jindong u ka bërë me dije vartësve të tij në shoqëri se nuk do të kursehet për të përforcuar ekipin. Sipas mediave italiane, ai i ka thënë Zanetit dhe Auzilios se është gati që të afrojë deri në pesë yje, të cilët mund të kushtojnë miliona euro.
Hijet e Antonio Kontes dhe Diego Simeones herë shfaqen e herë jo, por Stefano Pioli duket se nuk i shikon dhe vazhdon drejt në rrugën e vet. Dy javë më parë, pak minuta pas disfatës që pësoi Interi përballë Romës, Zhang Jindong tentoi që ta ngushëllonte trajnerin, duke e siguruar se Interi do të vazhdonte të mbetej skuadra e tij edhe në rast se mbyllte kampionatin aktual në vendin e katërt.
Tani që Pioli ndihet i sigurt, ka nisur që të përpilojë një listë me lojtarët, të cilët do të bëjë që Interi të kthehet në një skuadër pretendente. Emri i parë është ai i Angel Di Marias. Disfata e pësuar nga PSG-ja në Ligën e Kampioneve ka bërë që shumë yje të ekipit francez të konsiderojnë largimin nga kryeqyteti i Francës.