Mediu: Nuk do ndalemi për të treguar të vërtetën

Kreu i PR, Fatmir Mediu deklaroi dje nga çadra se koalicioni opozitar nuk do të ndalet për asnjë moment duke treguar të vërtetën e keqqeverisjes Rama në institucionet ndërkombëtare. Ai i cilësoi si të turpshme deklaratat e Ramës për armiqësi brenda Senatit amerikan dhe Kongresit amerikan ndaj Shqipërisë dhe se anëtarët e këtyre dy institucioneve të nderuara amerikane mund të manipulohen. “Ju jeni burim shprese dhe besimi jo thjesht për njëri-tjetrin, por për mbarë shqiptarët. Për ata shqiptarë që e kanë ëndërr Shqipërinë europiane, për ata shqiptarë që u bashkuan për ta bërë Shqipërinë vend anëtar të NATO, për ata shqiptarë që u përkushtuan dhe u angazhuan për të liberalizuar vizat për ata shqiptarë që në asnjë moment nuk do të ndalen që ta kthejnë pushtetin tek njerëzit, një pushtet që qeveris me njerëzit dhe punon për njerëzit për qytetarët e këtij vendi, ky është qëllimi që ne kemi dhe për këtë qëllim ne nuk ndalemi. Ka miq në të gjithë botën që na mbështesin në rrugën tonë. Janë ata që na kanë mbështetur në këto vite demokraci, janë ata që na kanë dhënë mundësi dhe frymëzim për të parë raportin tonë si qytetar dhe raportin tonë si politikë për t’i shërbyer interesave të Shqipërisë. Ju thamë që do të kemi mbështetje nga Kongresi amerikan, para disa kohësh u thamë që do të kemi mbështetje nga Senati që i drejtohet administratës së presidentit Trump. Dje, pati një qëndrim Departamenti i Shtetit. Ne nuk do të ndalemi për asnjë moment për të treguar të vërtetën dhe po ua u them sinqerisht është turp për të gjithë ata njerëz që mendojnë se këta njerëz manipulohen, këta janë ata njerëz që e kanë mbështetur Shqipërinë për t’u bërë vend anëtar i NATO. Ne nuk ndalemi për të folur me këdo politikan dhe vendimmarrës për të bashkëpunuar në rrugën drejt lirisë, drejt të ardhmes sonë europiane”, u shpreh Mediu.