Mamurras-Milot, rruga e vdekjes për faj të shtetit

Shqipëria, vendi i vetëm në rrugët e të cilit njerëzit vdesin për faj të shtetit. Rrugë të lëna në dorë të fatit, ashtu si dhe vetë jeta e njerëzve, e cila është gjëja më e lirë dhe më e pavlerë për institucionet shtetërore, të cilat mbyllin sytë përballë situatës dhe nuk marrin masat e duhura.
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, si dhe Drejtoria e Rrugëve nuk marrin masat, që rrugët në Shqipëri të jenë të sigurta. Por vdekjet për shkak të mungesës së elementëve të sigurisë nëpër superstradatat janë akoma të larta.
Rasti më i fundit është aksidenti i një dite më parë, ku absurdi njerëzor dhe mungesa e elementëve minimale të sigurisë bënë që një tjetër jetë e një të riu të ndërpritet në mes. Për shtetin shqiptar nuk është problem që vazhdohet me këto aksidente vdekjeprurëse dhe të mbushë rrugët me lapidare, që kujtojnë të vdekurit dhe lule të vendosura nga familjarët e viktimave.
Rrugë të tilla si kjo superstradë duhet të jenë të mbyllura me mbrojtëse metalike edhe në anët e rrugës, me hekur apo beton dhe hyrje daljet nga superstrada duhet të jenë të përcaktuara nga Autoriteti Rrugor. Por kjo gjë as nuk mund të imagjinohet në Shqipëri.
Këtu të gjithë hyjnë e dalin si të duan, duke filluar nga këmbësorët, automjetet mund të ndalojnë si të kenë dëshirë dhe të marrin pasagjerë. Të gjithë mbyllin sytë që nga Autoriteti Rrugor Shqiptar deri te policia lokale, që nuk është më vigjilente ndaj shkelësve të ligjit. Kjo superstradë edhe në ato pak raste që ka elementë të sigurisë janë shkatërruar nga dora e njeriut.