Liverpool, rritje pagash mbi 200 mln paund

Liverpool ishte skuadra që kishte një rritje të ndjeshme pagash për futbollistët dhe stafit teknik të saj. Sipas asaj që publikohet në median britanike, shifra e shpenzuar në këtë zë të bilancit nga drejtuesit e “The Reds” për periudhën qershor 2015-maj 2016 ishte 208 milionë e 258 mijë paund duke kaluar klube të tilla si Manchester City dhe Arsenali që gjatë kësaj periudhe shpenzuan respektivisht 198 dhe 195 milionë paund për pagat.
Kjo shifër e regjistruar nga Liverpooli është 25% më e lartë se ajo prej 166 milionë paund për periudhën financiare 2014/2015. Gjatë kësaj periudhe, Liverpool solli në “Anfield” 9 lojtarë të rinj mes të cilëve, Firmino, Benteke, Clyne, si dhe trajnerin Jurgen Klopp. Ishte sezoni kur Liverpooli arriti në finalen e Kupës së Ligës dhe atë të Europa League, ndërkohë që kampionatin e mbylli në vendin e tetë.
Numri total i personave që janë punësuar nga Liverpooli në periudhën qershor 2015-maj 2016 është rritur nga 636 në 700, nga këta 500 janë pjesë e administratës, 139 janë futbollistë e trajnerë, ndërsa 61 janë pjesë e stafit të mirëmbajtjes së ambienteve të klubit.