Kukeli: Dua të bëhem trajner

Nuk bie shumë në sy në radhët e kuqezinjve, nga natyra është i qetë, flet pak, por punon shumë në fushën e lojës. Ky është Burim Kukeli, mesfushori i kombëtares shqiptare. Në janar ka mbushur 33 vjeç, por ai mendon të jetë pjesë aktive në futboll edhe për disa vite, që do të thotë se Kukeli do të jetë pjesë edhe e eliminatoreve të Europianit 2020.
Por së pari dëshiron të ngjisë Zyrihun në Superligë e më pas të arrijë të luajë sërish në Europë. Kukeli është i mendimit që Shqipëria luan më mirë ndaj skuadrave të mëdha dhe me Italinë beson se do të jetë një lojë dinjitoze dhe një barazim nuk është “tabu”.
– Kombëtarja ka dy mungesa të rëndësishme si pasojë e kartonëve të kuq të Gjimshitit dhe Berishës, por edhe Ajeti nuk është në formën më të mirë, pa harruar dëmtimin e Mavrajt. Nëse do t’jua kërkonte trajneri të luanit në qendër të mbrojtjes, do ta bënit?
Në këtë pozicion kam luajtur në Europian dhe me Izraelin gjithashtu disa minuta. Është një pozicion që mundem të luaj. Si të vendosë trajneri, unë kam për detyrë të luaj kudo që të caktojë dhe ta ndihmoj sa më shumë ekipin.
– Ndeshja e radhës së kombëtares është me Italinë. Si e pret Kukeli këtë?
Duhet diçka edhe 3 javë të vijë ajo ndeshje. Megjithatë, është një emocion i madh të luash me një ekip si Italia, me lojtarët më të mirë dhe kundër formacionit ndoshta më të mirë në grupin tonë. Italia merr pjesë në çdo Europian e Botëror dhe ka futboll të mirë. Në ndeshjen miqësore që kemi luajtur me Italinë mendoj se kemi bërë lojë të mirë. Kemi humbur 1-0, por tani kemi mundësinë të kthejmë reston. Shpresoj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe pse jo të marrim pikë.
– Duke parë që vendi i parë dhe i dytë thuajse janë të pamundur, për vendin e tretë në grup sa shanse kemi?
Normalisht, Spanja dhe Italia janë favorite për dy vendet e para. Ndërsa për vendin e tretë shanset janë të mëdha. Ne e kemi vërtetuar se edhe përballë skuadrave të forta kemi marrë rezultate. Edhe me Italinë shpresojmë të marrim pikë, rruga është ende e gjatë. Do të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe do të shohim në fund nëse do t’ia arrijmë qëllimit.
– Në përgjithësi ju keni luajtur para mbrojtjes si shkatërrues, por edhe si mesfushor. Si po ju shkon ky sezon me Zyrihun?
Më shumë kam luajtur në rolin e mesfushorit, duke udhëhequr ekipin në topin e parë. Në këtë rol jam më i sigurt, është pozicioni im i preferuar. Si qendërmbrojtës kam luajtur edhe te Zyrihu, edhe në kombëtare. Këtë sezon te Zyrihu deri tani na ka shkuar shumë mirë.
– A është ndjerë mungesa e Sadikut në ndeshjet e Zyrihut për këtë vit?
Mungesa e tij është ndjerë shumë, jo vetëm tani, por edhe në fillim të sezonit kur ai ishte i dëmtuar. Kualitetin e Sadikut nuk e ka çdokush, kështu që mendoj se një lojtar i tillë i mungon çdo ekipi në kampionatin ku po luajmë.
– Mendoni se mund të bëheni trajner pas futbollit të luajtur?
Dëshira ime është të bëhem trajner, e di që nuk do të jetë e lehtë, është përgjegjësi e madhe. Dua të mbetem pjesë e futbollit.
– Shpesh është folur se klubi i Zyrihut nuk i do shqiptarët, duke iu referuar rastit të Gjimshitit dhe Sadikut. Si është e vërteta?
Nuk mendoj se janë kundër shqiptarëve. Qyteti i Zyrihut është për çdo kombësi, i hapur. Në përgjithësi Zvicra është shtet neutral. Nuk e di opinionet e drejtuesve të klubit, ata vendosin për largimet apo afrimet dhe kuptohet që ata mbajnë përgjegjësi, për mirë ose për keq.
– Si i gjykoni afrimet e personave të ndryshëm, kryesisht imamë, me futbollistët kuqezi?
Unë personalisht jam i besimit kristian, por nuk ka lidhje. Kam shumë shokë myslimanë. Besimi është më shumë personal dhe duhet mbajtur personal.
– Si janë raportet tuaja me De Biazin?
Gjithnjë kam kaluar mirë, ka qenë edhe në Zyrih. Na uron për festa të ndryshme, nganjëherë bëjmë ndonjë batutë kur jemi të grumbulluar.
– Cili është hobi juaj?
Preferoj shahun, edhe pse u bënë disa kohë që nuk luaj. Nëse do të kisha më shumë kohë, me kënaqësi do të luaja. Ndërsa në kohën e lirë më pëlqen të rri me familjen, të dal me miq dhe shokë, duke shëtitur në Zyrih.