Konkurrenca del kundër koncesioneve, por injorohet

221

Autoriteti i Konkurrencës është ankuar në Kuvend se qeveria dhe entet e saj vijojnë të injorojnë konsultat në lidhje me vendimet dhe aktet për bizneset që kanë të drejta ekskluzive më së shumti, koncesionet.
Edhe gjatë vitit 2016, AK ka vijuar kryerjen e vlerësimeve të të drejtave të veçanta dhe ekskluzive të dhëna, duke pasur parasysh mbrojtjen dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg.
Në raportin vjetor të 2016-s të dorëzuar në Kuvend, Autoriteti i Konkurrencës është shprehur se përgjithësisht, gjatë procedurës për dhënien e koncesioneve vazhdon të mos respektohet detyrimi i nenit 69, i Ligjit 9121/2013, i cili përcakton se: “Organet e administratës qendrore dhe vendore kërkojnë vlerësimin e Autoritetit për çdo projektakt normativ: që, në mënyrë të veçantë, ka të bëjë me: a) kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; b) vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; c) imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes”.
Gjatë vitit 2016, Komisioni i Konkurrencës është shprehur me vendime vetëm për 2 (dy) raste të të drejtave ekskluzive; në një rast kur është kërkuar vlerësimi paraprak nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe në një rast tjetër, vlerësimi është bërë me nismën e vetë AK-së.
Komisioni i Konkurrencës, me këtë vendim i rekomandoi Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, që në zbatim të kontratës të koncesionit/Partneriteti Publik-Privat të formës ROT për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e infrastrukturës hekurudhore Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë”, tarifat e miratuara nga autoriteti kontraktor të jenë të orientuara drejt kostos. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës duhet t’i drejtohet AK-së, në rastet kur gjykon se vërehen shkelje të mundshme të Ligjit nr. 9121/2003, gjatë periudhës koncesionare.
Autoriteti i Konkurrencës ushtroi inspektim edhe në shërbimin e kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore. Nga kontrolli rezultoi se, pavarësisht performancës ekonomiko-financiare, vlerësimi i shërbimit nga këndvështrimi i klientëve, i evidentuar nëpërmjet pyetësorëve tregoi se: a) automjetet më problematike për përmbushjen e kritereve të kolaudimit teknik janë automjetet me lëndë djegëse me benzinë, por pa gjetur elemente detyruese nga koncesionari, për të vendosur pajisje shtesë në automjet për zvogëlimin e emetimit të gazrave; b) mungon ndërgjegjësimi i klientëve për aplikimin e rezervimit paraprak të orës së marrjes së shërbimit, duke sjellë vonesa dhe radhë në realizimin e procedurës së kontrollit; c) plotësimi i një deklarate-tip, të hartuar nga koncesionari, e vendos përfituesin e shërbimit në kushte të pafavorshme, në rastin e shkaktimit të dëmit gjatë procedurës së kontrollit teknik; d) ekziston ende edhe dukuria e pagesave shtesë, informale, për të kaluar provën e kontrollit teknik.
Në lidhje me vlerësimin e tarifave të shërbimit sipas përcaktimit në kontratën koncesionare, AK, nëpërmjet vendimit nr. 416, datë 18.05.2016 “Për disa rekomandime për rishikimin e tarifave dhe mbi hapjen e tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve”, u rekomandoi palëve kontraktore që para ndryshimit të tarifave të shërbimit, palët duhet të paraqesin pranë AK, informacionet përkatëse mbi analizën ekonomike për vendosjen e këtyre tarifave të reja. Për vitin 2016 e në vazhdim, koncesioni nuk ka ndryshuar tarifat e shërbimit për kontrollin teknik të automjeteve.
Në lidhje me përmirësimin e shërbimit, komisioni i rekomandoi Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, të marrë masa për hapjen e këtij tregu për konkurrencë, sipas praktikave dhe standardeve më të mira ndërkombëtare pas përfundimit të periudhës koncesionare.