Kongresmeni-Bashës: SHBA mbështet protestën

Mbështetja brenda Kongresit amerikan ndaj kauzës së opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme vijon të rritet. Dje, një tjetër kongresmen i është drejtuar përmes një letre kryetarit të PD, Lulzim Basha ku shpreh mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kauzën e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Molinar ndalet tek dy reformat e rëndësishme, ajo zgjedhore dhe Reforma në Drejtësi, ndërsa thekson se të dyja këto reforma duhet të garantojnë vullnetin e lirë të qytetarëve dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet.
“Si një aleat strategjik, Shtetet e Bashkuara në mënyrë krenare mbështetën anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009. Demokracia dhe respekti për vlerat, të cilat bashkojnë dy vendet tona dhe të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Për këtë arsye ne mbështesim fuqishëm të gjithë qytetarët shqiptarë në thirrjen e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2017. Çdo reformë zgjedhore apo Reformë në Drejtësi duhet të fokusohet në garantimin e vullnetit të qytetarëve dhe zëri i qytetarëve duhet patjetër të dëgjohet me respektin më të madh. Populli shqiptar ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën për liri, demokraci dhe të drejtat e individit”, thuhet në letrën që kongresmeni Molinar i ka drejtuar kreut të PD, Lulzim Basha.
Senati dhe Kongresi amerikan mbështet në unison kauzën për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike, ndërsa po ndjekin me shqetësim situatën në Shqipëri. Mbështetja e senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë ka ardhur pas një sërë takimesh të zhvilluara me drejtues të opozitës. Krahas takimeve, përfaqësues të Senatit e Kongresit i janë drejtuar personalisht dhe zyrtarisht kreut të PD, Basha duke inkurajuar vijimin e lëvizjes së inicuar prej tij për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Mbështesim fuqishëm opozitën dhe lëvizjen e udhëhequr nga kreu i PD, Lulzim Basha.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht dhe detyrim për një demokraci funksionale. Proceset e manipuluara nga qeveria, vërejtjet e OSBE/ODIHR janë dhe qëndrim i SHBA”, janë këto mesazhet e përcjella nga senatorë e kongresmenë amerikanë në takimet e tyre me përfaqësues të lartë të opozitës. Ata kanë shprehur shqetësimin për forcën e krimit në Shqipëri, trafikun e drogës dhe sidomos përfshirjen e qeverisë në kultivimin e marijuanës për qëllime politike. Senatorët e kongresmenët janë angazhuar që zëri i opozitës të dëgjohet dhe debatohet jo vetëm në Kongres, por edhe në të gjitha nivelet e administratës së Presidentit Trump. “Kemi mbështetur Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s dhe sot kërkojmë që ajo të sillet si e tillë duke garantuar standardet demokratike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, janë shprehur ata, ndërsa angazhohen se do të ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri.

Nuk ka kthim pas, kjo qeveri i ka orët e numëruara

Kreu i PD, Basha dënoi ashpër mbrëmë përpjekjet e Ramës për t’i cilësuar përmes mediave të tij senatorët e kongresmenët amerikanë që kanë dalë në mbështetje të opozitës si armiq të Shqipërisë, duke i cilësuar këto përpjekje të ngjashme me ato të regjimit hoxhist. “Segmentet qeveritare të futura në një sërë mediash janë bërë për hall dhe ndonjë media kryekëput qeveritare pasi zbuloi armiqtë e jashtëm në çadrën e opozitës ka zbuluar grup armiqësor edhe në Senatin amerikan. Pra, senatorët që kanë guximin t’i vënë gishtin këtij njeriu që ka ngritur në pushtet krimin dhe bandat e drogës dhe përgjegjës për korrupsionin e thellë qeveritar, mediat e kontrolluara po nga ky na i shpallkan armiq njësoj si para 27 vitesh. Njësoj si para 27 vitesh janë ngritur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është i njëjti njeri i cili komprometoi rëndë dhe vuri në rrezik aleancën tonë strategjike me qëndrimet e tij të papërgjegjshme dhe klienteliste duke sulmuar një nga kandidatët në garën që u takonte vetëm shtetasve amerikanë. Kandidat, i cili sot është presidenti i SHBA, presidenti Trump”, u shpreh Basha. Kreu i PD ripërsëriti edhe një herë qëndrimin se opozita ashtu si shumica e shqiptarëve nuk tërhiqen nga beteja e nisur dhe se pushteti i ka orët e numëruara. “Është po ky dhe askush tjetër që me paratë e drogës paguan çapaçulët për të gjetur grupe armiqësore në Senatin amerikan. Nuk është për të qeshur kur njeriu që e bën këtë ka akoma çelësat e këtij vendi, ku ndonëse shpresa që buron natë për natë nga ky shesh po futet në çdo shtëpi, në çdo familje, në zemrat e çdo shqiptari të dëshpëruar, prapë se prapë beteja nuk është përmbyllur ende. Prapë se prapë nuk e ndalin e nuk do ta ndalin lumin e shpresës që buron nga ky shesh i lirisë, nuk e ndalin e nuk do të ndalin mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi marrë, po marrim e do të marrim nga SHBA dhe BE për kauzën tonë të drejtë, për kauzën tonë legjitime, për kauzën tonë kombëtare, për kauzën tonë europiane, për kauzën tonë amerikane për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të lira nga krimi, të lira nga droga, të lira nga korrupsioni. Ky vend do të ngrihet në nivelin e përgjegjësive si anëtar i NATO. Shqiptarët e kanë marrë vendimin; shumica nuk do të kthehet mbrapsht, pakica i ka orët e numëruara”, tha Basha.

Institucionet e Europës po dezinformohen

Pasditen e djeshme, kreu i PD, Basha u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të mos bien e mashtrimeve dhe dezinformimeve të stisura në zyrat e Ramës, ndërsa shprehu bindjen se përpjekjet e Ramës për të manipuluar do të dështojnë përballë betejës dhe kauzës së opozitës. “Në këtë betejë, ditë për ditë vijnë mesazhet e mbështetjes të miqve të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sado të manipulojnë, sado të dezinformojnë me milionat e drogës u bëj thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë në institucionet e Europës të hapin sytë sepse gojët që i dezinformojnë nuk janë thjesht gënjeshtarë, por janë të paguar të drogës dhe narkomafias shqiptare me në krye Edi Ramën”.
Basha reagoi edhe një herë për emërimin e Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, ndërsa tha se zgjedhje me xhelatë të krimit nuk do të ketë. “E shoh që jeni plot me energji, plot me entuziazëm dhe me shpresë dhe kjo është e përligjur sepse kjo betejë çdo ditë i afrohet më shumë fundit të sigurtë, fitores së kësaj lëvizjeje, fitores së çdo shqiptari. Rama e ka prerë biletën. Nga dita në ditë mbështetja popullore dhe mbështetja ndërkombëtare për këtë lëvizje rritet, rritet dëshpërimi, rritet çmenduria e qeverisjes fasadë, një vendim të çmendur pas një tjetri. Vendimi për t’i propozuar shqiptarëve hetuesin e Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht një nga njerëzit e lidhur me narkotrafikun ndërkombëtar të kokainës si ministër të Brendshëm është as më pak as më shumë se një akt lufte kundër opozitës, por në fakt kundër të gjithë shqiptarëve që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme kur shkon nga shiu në breshër”, tha Basha.
“Kishe një ministër të përfolur dhe të dëshmuar, të bërë mish e thua me bandat kryesore të drogës do të sjellësh tjetër që përveçse është i lidhur vetë me krimin e organizuar dhe me drogës është po kështu xhelat i diktaturës më të egër, armikes më të egër të votës së lirë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ke vendosur me çdo kusht t’i shkosh deri në fund skemës tënde për të kapur e prishur zgjedhjet. Se zgjedhje të lira me xhelatët e diktaturës nuk ka e nuk mund të ketë. Atëherë nga ky shesh i përsërisim njëzëri mesazhin tonë se këtu do të ketë vetëm, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se qeverisë Rama, qeverisë së krimit dhe të korrupsionit, qeverisë së njollosur me xhelatët e diktaturës po i vjen fundi i sigurtë”, u shpreh kreu i PD. Duke iu referuar raportit të Departamentit të Shtetit, Basha tha se të dhënat tronditëse janë dëshmi e kauzës së ngritur nga opozita.
“Sot, të gjithë keni parë raportin e Departamentit të Shtetit, i cili e ka rifutur Shqipërinë në listën e zezë të vendeve që pastrojnë paratë e pista të krimit, i cili e thotë hapur se Shqipëria është vend kryesor i trafikimit të drogës dhe i kultivimit të kanabisit. Raporti i Departamentit të Shtetit e thotë qartë se korrupsioni është galopant, kjo nuk është thjesht dhe vetëm një dëshmi më shumë e betejës dhe kauzës sonë si opozitë, por është njëkohësisht edhe një thirrje në radhë të parë ndaj shkaktarëve që t’i vënë gishtin kokës dhe në radhë të dytë ndaj qytetarëve që janë ngritur dhe nuk do të ulen deri në fitoren e kësaj kauze”, tha Basha.