Kërcënohet shkrimtari Tufa pse kërkoi ndalimin e filmave të kohës së Enverit

Shkrimtari Agron Tufa, një nga iniciuesit e nismës për ndalimin e shfaqjeve në televizion të filmave të diktaturës, ka marrë një kërcënim anonim në Facebook. Tufa shkruan në faqen e tij zyrtare të rrjetit social Facebook se, së bashku me kolegun e tij, Erald Kapri, ndërrmorën këtë nismë për të ndaluar me ligj filmat propagandistikë komunistë të regjimit të Enver Hoxhës, kjo, pasi sipas tij, është e dëmshme për shëndetin moral publik. Ai shprehet se, pas kësaj nisme ka marrë një kërcënim në Facebook.
Tufa shpjegon se, nuk kishte kërkuar që të gjithë filmat të përjashtohen, por të bëhet një listë e kujdesshme që nuk përçojnë propagandë komuniste.
“Mbrëmë mora një kërcënim anonim për shkak, se me kolegun tim, z. Erald Kapri (i kërcënuar dhe ai) ndërrmorëm një nismë, për të ndaluar me ligj filmat propagandistikë komunistë të regjimit të Enver Hoxhës, si lëndë toksike, radioaktive, e dëmshme për shëndetin moral publik. Mbetjet e diktaturës dhe nostalgjikët e asaj idile kinematografike perverse, incestuoze, qenkan prekur në kockë. Në ‘News 24’ kisha sqaruar, se: jo përjashtimisht të gjithë filmat të ndalohen. Por të bëhet një listë e kujdesshme e filmave (të paktë) që nuk përçojnë propagandë komuniste, si dhe: të gjithë filmat e ‘mbijetuar’ të paraprihen para transmetimit me një 5 minutësh hyrje, ku të shpjegohet se përse transmetohet aksh film (vlera artistike, regjisoriale, aktoriale, tematike etj)”, shkruan Tufa.