Italia, Ventura me risi ndaj Shqipërisë

Portieri i Spalit, Alex Meret, mbrojtësi i Atalantës, Leonardo Spinazzola dhe ai i Interit, Danilo D’Ambrosio, janë tre risitë e Italisë për sfidën kualifikuese të 24 marsit ndaj Shqipërisë në Palermo. 25 janë futbollistët e grumbulluar nga trajneri i përfaqësueses së kaltër, Giampiero Ventura, për takimin eliminator ndaj kuqezinjve të Gianni De Biasit dhe miqësoren ndaj Holandës që do të luhet në 28 mars në Amsterdam. Nuk mungojnë surprizat në listën e Venturës me mesfushorin e Juventusit, Claudio Marchisio, që është lënë jashtë për çështje teknike, ndërkohë që për arsye dëmtimi nuk është grumbulluar mbrojtësi i bardhezinjve Giorgio Chiellini.
Për sfidën ndaj Shqipërisë, Ventura ka rikthyer në kombëtaren italiane Manolo Gabbiaddinin, i cili po shkëlqen gjatë kësaj periudhe me fanellën e Southampton në Premier League. Nuk mund të mungonte kurrsesi në listën e të grumbulluarve, Lorenzo Insigne njeriu që po udhëheq Napolin me paraqitjet e tij fantastike në muajt e fundit. Ventura ka grumbulluar edhe mesfushorin e Interit, Roberto Gagliardini, ndërkohë që nga Juventusi janë thirrur 4 lojtarë, Buffon, Barzagli, Rugani e Bonucci.
Në portë përveç Buffon e Donurummës spikat grumbullimi i Alex Meret, portierit të Spal-it në Serinë B, skuadër që në mënyrë surprizë kryeson renditjen në këtë kampionat. Në mbrojtje, emra të tjerë të rëndësishëm janë Romagnoli, Astori, Darmian e De Scglio. Në mesfushë përveç Gagliardinit, Ventura ka besuar te përvoja e Daniele De Rossit, klasi i Marco Verrattit dhe forca e Marco Parolos. Te lojtarët e krahut Insigne është një nga ata që spikasin më shumë, sepse janë grumbulluar edhe Candreva, Bernardeschi e Sansone. Në sulm, ndërkohë të gjithë sytë do të jenë te Belotti e Immobile, dy nga sulmuesit italianë më rezultativë në Serinë A, gjatë këtij sezoni, ndërkohë që përveç Gabbiaddinit, Ventura ka grumbulluar edhe lojtarin e Interit, Eder.