Itali-Shqipëri, biletat në shitje deri në 16 mars

Shtyhet afati i vendosur fillimisht nga Federata Shqiptare e Futbollit për biletat në dispozicion të tifozëve për ndeshjen eliminatore të radhës kundër Italisë. Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare, institucioni më i lartë i futbollit shqiptar bën me dije se shitja e biletave në dispozicion të sektorit të tifozëve shqiptarë do të vazhdojë deri në datën 16 mars. Sfida që do të luhet në datën 24 mars në stadiumin e Palermos “Renzo Barbera” mbetet e një rëndësie të veçantë për Kombëtaren Shqiptare dhe mbështetja e tifozëve do të jetë vendimtare.
Sipas federatës, biletat mund të blihen në ambjentet e institucionit ku të interesuarit do të deklarojnë edhe të dhënat e detyruara për të përfituar biletat. Afati ishte vendosur fillimisht nga federata italiane, por pas një kërkese nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit është shtyrë deri në datën 16 mars. Në dispozicion të tifozëve shqiptarë janë biletat e sektorit të miqve me çmim 12 euro dhe personat e interesuar duhet të kenë me vete kartën e identitetit, sepse në bazë të rregullores në vendin fqinjë, biletat do të jenë të personalizuara.