Ish-të përndjekurit-Nishanit: Mos dekreto xhelatin e diktaturës Xhafa

272

Ish-të përndjekurit kanë reaguar ashpër pas emërimit të Fatmir Xhafës në postin e ministrit të Brendshëm për shkak të së kaluarës së tij nën regjimin komunist, ndërsa i kanë bërë thirrje Presidentit Nishani të mos e dekretojë atë. Përmes një reagimi publik, Besim Ndregjoni, Presidenti i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, është shprehur kundër emërimit të Xhafajt, i cili ka qenë hetues në Ministrinë e Brendshme gjatë periudhës komuniste. Sipas Ndregjonit, kjo është një gjë e papranueshme dhe “hap plagët” e qindra ish-të përndjekurve që kanë vuajtur krimet e komunizmit. Presidenti i Shoqatës së ish-të Përndjekurve duke iu drejtuar Ramës e cilëson atë si përgjegjës për situatën kaotike në të cilën gjendet vendi sot. Ai e cilëson emërimin e Xhafës si një turp kombëtar dhe si fyerje që kryeministri Rama i bën 100 mijë familjeve që vuajtën persekutimin e egër hoxhist. “Hetues i Ministrisë së Brendshme në diktaturën e Hoxhës bëhet ministër i Brendshëm në demokraci. Paradokset e rilindjes dhe ideologjia e saj komuniste nuk njohin ndalim, vetëm vrapim për të realizuar me çdo kusht kthimin e bashkëpunëtorëve të diktatorit Hoxha në qeverisjen e vendit. Ky propozim është një turp kombëtar, por dhe një fyerje që u bëhet 100.000 familjeve që provuan diktaturën më të egër në Evropën e shekullit të kaluar. Zoti Rama, pushteti është mjet në demokraci dhe qëllim në diktaturë. Qëllimi i pushtetit është forcimi i kohezicionit social shqiptar, dhe jo ‘luftë klasash’. Në rastin tonë kohezioni social kërkon pastrimin e krimit dhe të kriminelëve komunistë, në një proces të mbështetur në drejtësi, është rikthim i plotë në liri dhe dinjitet për të gjithë, është mbrojtje nga ‘dora e shtetit’ e nga grushti i ‘hijeve të zeza’. Situata politike dhe shoqërore në Shqipëri është përfshirë nga një kaotizëm politik, kjo nga papërgjegjshmëria e Kryeministrit Edi Rama në qeverisjen e vendit. Përballë revoltës popullore për një Republikë të re, për votë të lirë e të ndershme Rama propozon ndryshime në qeverisje”, shprehet Ndregjoni në reagimin e tij. Presidenti i Shoqatës së ish-të Përndjekurve i bën thirrje Ramës që vetë ai personalisht të dënojë krimet e Enver Hoxhës. “Përballë revoltës së shqiptarëve, zoti Rama propozon ndryshime në qeverisje, mbasi u detyrua të shkarkonte ministrin e kanabisit Tahirin, propozon zotin Xhafa ministër të Brendshëm, i cili ka qenë bashkëpunëtor i diktatorit kriminel Enver Hoxha dhe një hetues i Ministrisë së Brendshëm të pushtetit hoxhist që ka dhunuar të drejtat dhe liritë e njeriut ndaj kundërshtarëve të regjimit diktatorial. Rroftë rilindja që nga hetues e bën ministër. Poshtërimi i kundërshtarit politik nuk është fitore zoti Rama, është shkatërrim i gjysmës së shqiptarëve që mendojnë ndryshe nga ju. Shtrojmë pyetjen para jush zoti Kryeministër: A i dënoni ju krimet e Enver Hoxhës? Ju vret ndërgjegjja si drejtues i qeverisë të riktheni në qeverisjen e vendit hetuesin e diktaturës, Fatmir Xhafën një idhtar dhe bashkëpunëtor i diktatorit Hoxha që ka dhunuar të drejtat e të burgosurve politikë?”, shkruan Ndregjoni. “Zoti Kryeministër pushteti nuk u jep të drejtën të na ngacmoni plagët që ka 26 vite që rrjedhin gjak dhe nuk po shërohen akoma përballë urrejtjes të partisë që drejtoni ju. Të përndjekurit politikë si mbrojtës të lirisë nuk do të pranojnë fobinë tuaj hakmarrëse ndaj luftëtarëve të lirisë me promovimin e figurave të urryera të diktaturës komuniste, siç është propozimi i Xhafës për ministër të Brendshëm. Zoti Ambasador Lu dhe Vlahutin, a do të pranoni në vendet tuaja demokratike individë që i kanë shërbyer diktaturës dhe kanë dhunuar të drejtat e liritë e njeriut? Apo ne shqiptarët antikomunistë duhet të heshtim për krimet që na kanë shkaktuar politikanët e diktaturës dhe duhet t’i promovojnë në drejtimin e qeverisjes së rilindjes”, vijon Ndregjoni në reagimin e tij. Ai i bën thirrje Presidentit të Republikës të mos dekretojë emërimin e Xhafës si ministër të Brendshëm, ndërsa i bën thirrje Ramës të largohet nga qeverisja e vendit duke e akuzuar atë si përgjegjës në shkatërrimin e rendit shoqëror në vend. “Presidenti i Republikës, zoti Nishani të mos e dekretojë hetuesin e Ministrisë së Brendshme të diktaturës Hoxha si ministër i Brendshëm në sistemin demokratik. Zoti President me mosdekretimin e zotit Xhafa ju ruani ekuilibrat e shoqërisë dhe i shërbeni unitetit të kombit. Zoti Rama në emer të qindra mijëra shqiptarëve antikomunistë, që përballuan krimet e komunizmit ju kërkojmë që ju të jepni dorëheqje për prishjen e ekuilibrave të shoqërisë. Shqipëria ka nevojë për një Republikë tjetër, për një republikë të moralshme, ku konkurrenca, vota e lirë dhe pastrimi i politikës nga kriminelët e djeshmëm të jetë motoja e zhvillimit të demokracisë”, thekson Ndregjoni.

Arben Shahini