Ironia e FRPD, Lul Berisha, Shullazi, Frroku, Bushi firmosin për vettingun

Të rinjtë e Partisë Demokratike në shenjë ironie dhe talljeje kanë ndërmarrë ditën e djeshme një nismë të re. Të maskuar, duke vënë në fytyrat e tyre portretet e Emiliano Shullazit, Marku Frrokut, Lul Berishës, Artur Bushit e Artur Bardhit, ata janë drejtuar për te çadra, pranë Piramidës në kryeqytet ku merren firmat për Vettingun. “Unë jam Emiliano Shullazi, i dënuar për krime të rënda dhe gjobëvënie. Sot kam ardhur bashkë me shokët e mi për të vendosur pro Vettingut”, shprehet një i ri. Ndërsa një tjetër duke vendosur maskën e Mark Frokut shprehet: Përshëndetje unë quhem Mark Froku. Jam i akuzuar për një vrasje në Belgjikë. Kam ardhur sot për të firmosur pro Vettingut. Por ndërsa janë drejtuar drejt çadrës shokët e tij të tjerë demokratë, një tjetër i ri  me maskën e Lulzim Berishës u shpreh: Përshëndetje unë jam Lul Berisha dhe jam dënuar vetëm se kam vrarë 4 veta, tani jam liruar kam ardhur të firmos për Vettingun. Ata kanë firmosur për peticionin e Vettingun, duke vendosur emrat e të lartpërmendurve që akuzohen nga autoritetet për krime të rënda. Në lidhje me këtë inskenim ironik të të rinjve të FRPD, ka reaguar edhe kreu i PD Basha. “Mund të duket si një inskenim tragji-komik, por është vetë realiteti i Shqipërisë sot. Edi Rama me kriminelët që futi në Kuvend dhe ata që nxori nga burgjet në liri po kërkon të bëjë një veting fasadë për të mbrojtur kriminelët dhe veten”, shkruan Basha në një reagim në FB.