Investimet kapitale të bashkive ranë me 16% në 9-mujorin e 2016

Edhe pas aplikimit të reformës territoriale, efektiviteti financiar i njësive të reja vendore ka hasur vështirësi. Shpenzimet për investime të pushtetit vendor në nëntëmujorin e vitit 2016, në total, rezultojnë rreth 16% më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë, sipas një analize që ka bërë portali www.financatvendore.al. Vlera e tyre arriti në 8.6 miliardë lekë nga 10.2 miliardë lekë që ishte më 2015. Analiza tregon se, pavarësisht luhatjeve, fokusi kryesor i shpenzimeve kapitale të financuara nga të dy nivelet e qeverisjes mbetet infrastruktura e transportit, strehimi, urbanistika dhe ujësjellës-kanalizimet. Megjithatë, analiza sugjeron se performanca e investimeve është më tepër e lidhur me fondet e vëna në dispozicion nga qeverisja qendrore nëpërmjet Fondit për Zhvillimin e Rajoneve sesa me performancën e të ardhurave të veta dhe transfertës së pakushtëzuar. Nga të dhënat shihet se, ekzistojnë diferenca të forta ndërmjet bashkive për sa u përket shpenzimeve të personelit, operativëve dhe shpenzimeve kapitale. Mesatarisht, bashkitë kanë shpenzuar për investime rreth 28% të buxhetit të tyre. Megjithatë, edhe ndër këto bashki ka diferenca të forta për sa i përket nivelit të investimeve në raport me buxhetin e vet vendor, nga një minimum prej 1% deri në një maksimum prej 65%. Sikurse evidentohet nga grafiku i mëposhtëm, shpenzimet për infrastrukturën e transportit (çështjet ekonomike), ujësjellësve dhe kanalizimeve, strehimit, urbanistikës dhe shërbimeve ndaj komunitetit zënë peshën kryesore të shpenzimeve kapitale në të gjitha vitet. Analiza tregon se reforma territoriale duket se është shoqëruar me një përmirësim të lehtë në financat vendore, megjithatë do të kemi mundësi të vlerësojmë ecurinë e saj për tremujorët në vazhdim. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në tremujorin e tretë të vitit 2016 janë rritur me 34% krahasuar me periudhën përkatëse në vitin 2015. Megjithatë, ato mbeten tepër të ulëta në krahasim me sfidat me të cilat përballen bashkitë e sapokrijuara. Problemet strukturore të administrimit të taksave dhe tarifave vendore mbeten prezente. Ekzistojnë diferenca të thella ndërmjet bashkive për sa u përket peshës që zënë të ardhurat e veta dhe transferta e pakushtëzuar në buxhetin e vet të bashkisë. Në nëntëmujorin e vitit 2016, mesatarisht të ardhurat nga taksat përbëjnë rreth 41% të buxhetit të vet vendor. Megjithatë, pesha e të ardhurave nga taksat në buxhetin vendor varion nga 7% në 76%. Transferta e pakushtëzuar përbën mesatarisht 67% të buxhetit vendor, duke variuar nga një minimum prej 24% te një maksimum prej 93%. Taksa mbi pasurinë e paluajtshme, është taksa më e rëndësishme që administrojnë bashkitë. Në nëntëmujorin e parë të vitit 2016, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë u rritën me 18%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Peshën më të madhe e zë taksa mbi ndërtesat. Taksa mbi tokën bujqësore mbetet shumë e ulët (vetëm 12% e totalit) ndërkohë që, deri në nëntëmujorin e parë të vitit 2016 nuk evidentohet asnjë e ardhur nga taksa për truallin urban. Administrimi i kësaj të fundit paraqitet shumë i vështirë për mungesën pothuajse totale të regjistrave.