Interi nuk heq dorë

Merkatoja e verës është e destinuar që të jetë fushëbeteja e radhës e Interit dhe e Juventusit. Nëse Stiven Zhangu është i bindur se Antonio Konte është trajneri ideal i Interit, atëherë Piero Auzilio ka këtë gjykim për Aleksis Sançezin, i cili është sulmuesi më i fortë në qarkullim, përjashto Mesin, Ronaldon dhe Lewandowskin.
Ndryshe nga tre emrat e lartpërmendur, Aleksis Sançez do që të largohet nga Arsenali. Kiliani e shikon se në “Emirates” nuk do të ketë shansin që të fitojë tituj dhe për këtë arsye ka vendosur të mos rinovojë akordin që e mban të lidhur me “topçinjtë” deri në 2018-ën.
Pakënaqësitë e Sançezit e kanë shtyrë Piero Auzilion që të interesohet pranë menaxherit të lojtarit. Drejtori sportiv i Interit është interesuar për të ardhmen e Sançezit pranë Fernando Felicevish, i cili asiston edhe Geri Medelin. Marrëdhëniet e mira me menaxherin e Medelit, të cilit pritet që t’i rinovohet shumë shpejt kontrata, kanë qenë një “bekim” për Auzilion. Bisedimet me Felicevishin për kontratën e Medelit kanë qenë një pikënisje e duhur për Auzilion.
Nëse Interi do që të arrijë te firma e kilianit, atëherë duhet të përmbushë dy kushte. Së pari, zikaltrit duhet të kualifikohen në Ligën e Kampioneve, ndërsa së dyti, duhet të formulojnë dhe të paraqesin një projekt më ambicioz se ai i Juventusit.
Arsen Venger ka akuzuar gjyqtarin për humbejn e thellë kundër Bajernit të Mynihut. “Na e bëri gropën gjyqtari”, është shprehur Venger pas ndeshjes. Me shumë mundësi, pritet të perëndojë aventura 21-vjeçare e Arsen Vengerit në krye të Arsenalit. Pas humbjes 2-10 në të dyja ndeshjet kundër Bajernit, menaxheri Venger mori valixhet, duke i dhënë lamtumirën Champions-it.
Arsenali arriti të kalojë i pari në avantazh, por gjyqtari grek Anastasios Sidiropulos duket se ka qenë fajtori i anglezëve. “Ne e vumë nën presion Bajernin që në fillim dhe arritëm sërish ta ndëshkojmë të parët. Në pjesën e parë ishim dominant dhe patëm shanse të shënonim dhe golin e dytë. I mbajtëm shumë mirë balancat deri në momentin e vendimit absurd të gjyqtarit.
Para se të akordohej penalltia, Lewandowski ndodhej në pozicion jashtë loje. Pra, nuk duhej dhënë as penallti dhe as karton i kuq. Ishte pikërisht ky arbitër që na groposi. Është e pamundur të përballosh Bajernin me një lojtar më pak. Pas daljes së Koshielnit humbëm përqendrimin dhe balancat mes reparteve. Vendimi i gabuar i arbitrit na demoralizoi, pasi aty u shuan përfundimisht shpresat tona për të fituar takimin dhe u kualifikuar”, tha Venger.