INSTAT konfirmon rënien e punësimit, në tremujorin e katërt 1.4% më pak

Numri i të punësuarve në ekonomi u ul me 1.4 për qind në tremujorin e katërt të vitit, krahasuar me një tremujor më parë. Lajmin e ka konfirmuar Instituti i Statistikave, i cili bën të ditur se mijëra qytetarë kanë humbur vendin e punës dhe të ardhurat gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit të kaluar. “Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2016, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart pësoi një rënie prej 1,4%”, deklaroi INSTAT në anketën tremujore të Forcave të Punës. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se rënia e punësimit ka ndodhur pikërisht në sektorët më kryesorë të ekonomisë, atje ku janë të punësuar edhe shtresat më në nevojë.
“Ulja e punësimit në aktivitetet bujqësore vlerësohet të jetë 2,4% dhe në sektorin e industrisë 1,8%. Ndërsa punësimi në sektorin e shërbimeve ka mbetur thuajse në të njëjtin nivel si në tremujorin pararendës”, raportoi INSTAT. Papunësia ulet fiktivisht. Por pavarësisht se punësimi u ul dhe mijëra qytetarë kanë humbur punën. “Në tremujorin e katërt 2016, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 14,2%. Krahasuar me tremujorin e tretë 2016, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,5 pikë përqindje”, tha INSTAT. Rënia e shifrës së papunësisë është artificiale dhe nuk tregojnë përmirësim në tregun e punës. Por ajo vjen për shkak të uljes së shkallës së pjesëmarrjes në tregun e punës nga 58.5 për qind që ishte në tremujorin e tretë në 57.2 në tremujorin e katërt.
Kjo tregon se një numër i madh qytetarësh kanë dalë jashtë tregut të punës dhe nuk kontribuojnë në rritjen ekonomike, të demotivuar sepse nuk kanë besim se mund të gjejnë një punë ose të shtyrë nga rrethana të tjera. Këta qytetarë nuk llogariten në shifrën e papunësisë, çka ka sjellë uljen artificiale të shifrës së papunësisë.