Ibra dënohet me 3 ndeshje

Federata angleze e Futbollit nuk tregon mëshirë për Zlatan Ibrahimoviç. Lajme të këqija për Manchester United dhe Jose Mourinhon, i cili nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin e tij kryesor për 3 ndeshjet e ardhshme. Bomberi suedez është dënuar me 3 ndeshje skualifikim nga komisioni i disiplinës, për goditjen me bërryl që i dha mbrojtësit të Bournemouth-it, Tyrone Mings në ndeshjen e fundit të kampionatit, të cilën Djajtë e Kuq e barazuan me rezultatin 1-1.
Gjatë asaj sfide pati shumë përplasje mes Ibrës dhe Mings, madje ishte ky i fundit që nisi luftën në distancë mes të dyve duke shkaktuar një faull horror ndaj gjigantit suedez, por për fatin e mirë, Zlatan shpëtoi pa asnjë frakturë pas goditjes që mori në kokë. Me kalimin e minutave Ibrahimoviç reagoi në mënyrën e tij duke e goditur me bërryl mbrojtësin e Bournemouth-it, pas një harkimi të topit në zonë nga këndi. Gjesti i suedezit nuk u vu re nga gjyqtari, por Ibrahimoviç u dënua në sajë të provës televizive, e cila aplikohet në çdo kampionat të rëndësishëm kur bëhet fjalë për të tilla episode aspak sportive që i shpëtojnë syrit të arbitrave. Sulmuesi 35-vjeçar do të humbasë kështu dy takimet e radhës në Premier League ndaj Middlesborough dhe West Bromwich Albion dhe mbi të gjitha ndeshjen çerekfinale ndaj Chelsea-it në FA Cup, e cila do të luhet, të hënën e 13 marsit.