I dënuari për vrasje jep mësim në shkollë

Fiks-Fare denoncoi sot skandalin e radhës në arsimin shqiptar. Një mësues i dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe pa diplomë jep mësim në shkollën 9-vjeçare të Sohodollit në Peshkopi. Ndërkohë që mësuesi me master dhe fitues në portalin e Ministrisë së Arsimit shkarkohet nga puna.
Drejtoria Arsimore e Peshkopisë si dhe drejtoria e shkollës nuk kanë verifikuar dosjen e tij dhe nuk i kanë kërkuar dëshminë e penalitetit. Drejtori i shkollës, Sulejman Abdia pohon se nuk ia ka kërkuar dëshminë e penalitetit, madje nuk e njihte rastin fare. Sipas tij, dosja e mësuesit ka ardhur nga Drejtoria Arsimore Peshkopi pa miratimin e tij.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare mbërrin një denoncim nga mësuesi Neki Hysa, i cili shprehet se e kanë hequr pa të drejtë edhe pse ka 32 vite punë në arsim, si dhe ka të gjithë dokumentacionin që i duhet një mësuesi. Ai ka dalë i pari në portalin e Ministrisë së Arsimit si dhe ka master. “Në shkollën e Sohodollit janë emëruar mësues pa arsimin e lartë”, denoncoi në Fiks Fare mësuesi me përvojë 32-vjeçare në mësimdhënie.
Pas ankesës së mësuesit Neki Hysa, se në shkollën 9-vjeçare Sohodoll, Peshkopi, ka mësues pa arsimin përkatës, Fiks Fare kërkoi verifikimin e një tjetër elementi kyç në dosjen e mësuesve të kësaj shkolle, dëshmisë së penalitetit.
Në dosjet e mësuesve të kësaj shkolle, Fiks Fare zbuloi se, mungonte dëshmia e penalitetit të mësuesit të fizkulturës, zotit Endri Cena.
Gazetarët e Fiks Fare gjetën dëshminë e penalitetit të këtij mësuesi. Sipas  këtij dokumenti, mësuesi i fizkulturës në shkollën e Sohodollit, zoti Endri Cena, është i dënuar me një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Tiranës, me 3 vjet e gjysëm burg për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia dhe prodhimit e mbajtjes së armëve luftarake.

Drejtori i shkollës: “Jam agronom, nuk kontrolloj dëshmitë e penalitetit”

Ai pohon se është në dijeni të këtij rasti dhe se mësuesi Cena nuk e ka diplomën e shkollës së lartë, por dosja e tij ka ardhur me emërim nga Drejtoria Arsimore. Në dosjen e mësuesit Cena mungon dëshmia e penalitetit dhe gjendet edhe një vërtetim ku tregon se Endrit Cena është student part–time, por jo i diplomuar.  “Dëshminë e penalitetit nuk e ka as ky mësues dhe asnjë mësues tjetër, sepse nuk ua kam kërkuar unë”, shprehet drejtori Abdia. Pyetjes së gazetares se çfarë diplome kishte vetë drejtori,  ai pohon se në profesion është agronom dhe nuk ka asnjë master për mësuesi.
Në kohën që gazetarët flisnin me drejtorin Abdia, në drejtorinë e shkollës, në ambjentet e shkollës paraqitet mësuesi i fiskulturës bashkë me të atin e tij. Gazetarët tentojnë të intervistojnë mësuesin e fizkulturës, ai largohet nga shkolla, ndërsa i ati jo. Ai debaton me gazetarët e Fiksit, duke i kërcënuar “Unë të plas kokën atje, këtë të bëj unë”, u drejtohet ai. Në debat e sipër nuk harron t’i bejë foto dhe operatorit për ta çuar deri në fund kërcënimin e tij “atë që bëni ju do e bëj dhe unë, pa ta knu unë ty…”
Drejtoria Arsimore, Dibër: përgjegjësinë e ka drejtori i shkollës
Gazetarët iu drejtuan edhe Drejtorisë Arsimore Dibër për të mësuar nëse ishte marrë ndonjë masë apo jo për mësuesin Cena. Drejtori z. Drini Gjici nuk pranon të japë intervistë, por bashkëbisedon me gazetarët e Fiksit në zyrën e tij. Ai pohon se menjëherë pas vënies në dijeni nga Fiks Fare të rastit të mësuesit të edukimit fizik, ka thirrur drejtorin e shkollës dhe i kërkuar pezullimin e mësuesit Cena. Zoti Gjici tregon se nuk ka qenë në dijeni se z. Cena ka qenë i dënuar. Gjithsesi ai akuzon drejtorin Abdia për marrjen në punë të mësuesit Cena ‘ai është punëdhënësi i tij’, shprehet ai.

Takimi i mësuesit të akuzuar me gazetarët e Fiksit

Drejtori i shkollës- Thirre Endrin le të vi këtu
Babai i mësuesit- Vi unë.
Drejtori i shkollës-S’ke punë ti
Babai i mësuesit- E din ti (i drejtohet gazetarëve) Çin kërkoni ju o shoku im?
Drejtori i shkollës- E dinë këta çfarë kërkojnë
Babai i mësuesit- Ju ç’kërkoni?
Drejtori i shkollës- S’kërkojnë gjë këto
Babai i mësuesit- Qish doni ju, qiqra në hell doni ju?
Drejtori i shkollës- Mos na i prish muhabetet
Babai i mësuesit- Po me Endrin qish ke?
Drejtori i shkollës- Ramiz, asgjë
Fiksi- Po ti kush je?
Babai i mësuesit- Ç’të duhet ty kush jam unë
Fiksi-  Po atëherë ç’të duhet ty
Babai i mësuesit- Unë të plasi kokën atje, këtë të bëj unë
Drejtori i shkollës-Ramiz, Ramiz le të vijë Endri
Babai i mësuesit- Endri nuk ka punë me ardhë këtu
Drejtori i shkollës-E kërkoi unë
I bën foto operatorit me telefonin e tij
Babai i mësuesit- Atë që bëni ju do e bëj dhe unë, pa ta knu unë ty