Humbja me Bankers në arbitrazh, Manjani: Fajin kërkojeni te Rama

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ditën e djeshme, ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar nga “Tv Klan”, sipas të cilit, ish-ministri ka qenë arsyeja që shteti po humb arbitrazhin me Bankers Petrolium. Referuar një dokumenti konfidencial të zotëruar nga “Tv Klan”, bëhet me dije, se Shqipëria duhet të paguajë 240 mijë dollarë deri në datën 13 mars, Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit ose çështja nuk do të merret në shqyrtim. Në lajmin e publikuar, thuhet se pengesë për dhënien e këtij fondi është bërë ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili e ka konsideruar pagesën për hapjen e çështjes kundër Bankers të parëndësishme. Ish-ministri Manjani, me anë të një reagimi për “Opinion.al”, sqaron se përgjegjësinë shtetërore e ligjore për të mbrojtur shtetin në çdo procedrurë gjyqësore e ka Avokatura e Shtetit dhe jo Ministria e Drejtësisë. Ai thekson se në respekt të ligjit dhe i vendosur për të mos lejuar asnjë abuzim në përzgjedhjen e studiove private të Avokatisë, nuk ka miratuar asnjë procedurë për përzgjedhje studiosh nga Avokatura e Shtetit. Manjani tregon, kohë më parë, e ka bërë të qartë se përzgjedhja e studiove të avokatisë ashtu siç propozohej ishte pa konkurrencë dhe që linte shteg për abuzime. “Për rastin në fjalë shteti nëpërmejt AKBN kishte përzgjedhur më parë një studio avokatie dhe nuk ishte bindëse që të zgjidhej një studio e re pa vlerësuar më parë suksesin e firmës ekzistuese. Por në çdo rast, kjo përgjegjësi nuk i takon ministrit të Drejtësisë”, thekson ai. Manjani, nënvizon si ministër Drejtësie propozova një VKM për të disiplinuar përzgjedhjen e studiove të avokatisë në mënyrë transparente, profesionale dhe me sa më pak kosto. Ai tregon se kjo VKM, nuk u miratua asnjëherë dhe jo për fajin e tij. “Për sa më shumë informacion, përse kjo VKM nuk u miratua, duhet t’u japë informacion Këshilli i Ministrave. Aty duhet kërkuar edhe përgjegjësia nëse shteti humb këtë gjyq”, përfundon reagimin ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Reagimi i plotë i ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani:
U njoha nëpërmjet faqes suaj “Opinion.al”, për një lajm të “Tv Klan”, sipas të cilit, unë paskam qenë pengesa apo arsyeja që shteti po humb arbitrazhin me Bankers! Dëshiroj t’u sqaroj si vijon: Përgjegjësinë shtetërore e ligjore për të mbrojtur shtetin në çdo procedurë gjyqësore e ka Avokatura e Shtetit dhe jo Ministria e Drejtësisë. Në respekt të ligjit dhe i vendosur për të mos lejuar asnjë abuzim në përzgjedhjen e studiove private të Avokatisë, nuk ka miratuar asnjë procedurë për përzgjedhje studiosh nga Avokatura e Shtetit. Siç e kam bërë të qartë edhe më parë, përzgjedhja e studiove të avokatisë ashtu siç propozohej ishte pa konkurrencë dhe që linte shteg për abuzime! Për rastin në fjalë shteti nëpërmjet AKBN kishte përzgjedhur më parë një studio avokatie dhe nuk ishte bindëse që të zgjidhej një studio e re pa vlerësuar më parë suksesin e firmës ekzistuese. Por në çdo rast kjo përgjegjësi nuk i takon ministrit të Drejtësisë. Si ministër i Drejtësisë, propozova një VKM për të disiplinuar përzgjedhjen e studiove të avokatisë në mënyrë transparente profesionale dhe me sa më pak kosto. Por kjo VKM nuk u miratua asnjëherë dhe jo për fajin tim! Për më shumë informacion përse kjo VKM nuk u miratua duhet t’u japë informacion Këshilli i Ministrave. Aty duhet kërkuar dhe përgjegjësia nëse shteti humb këtë gjyq. Së fundi, Ju falënderoj që sillni në vëmendje këtë çështje, sepse është vërtetë serioze dhe meriton vëmendje publike gjithashtu.

Marrë nga “Opinion.al”