Guardiola: Nuk e merituam kualifikimin

I mërzitur dhe i dëshpëruar është shfaqur trajneri i Mançester Sitit pas ndeshjes. Pep Guardiola nuk ka qenë aspak i kënaqur me impenjimin e futbollistëve të tij, të cilët e morën seriozisht ndeshjen, vetëm në pjesën e dytë. “Në këto kompeticione nuk mund t’i dhurosh një pjesë loje kundërshtarit. Nuk patëm mentalitetin e duhur, ndaj u eliminuam”, tha trajneri spanjoll.
Gjithsesi, Guardiola dëshiron të lejë pas gjithçka dhe bën thirrje për të çuar para projektin e nisur me Sitin. “Jemi duke bërë një sezon të mirë. Kam një ekip me personalitet, që dëshiron t’i imponojë lojën e vet kundërshtarit, në çdo takim, por sot, në pjesën e parë nuk ia dolëm dot. Duhet të shikojmë përpara dhe të nxjerrim mësime nga kjo humbje, për t’u përmirësuar në sezonin e ardhshëm”, tha trajneri i Pep Guardiola.
Leonardo Zhardim është strategu i një Monakoje që po mahnit të gjithë Europën. Një ekip i ndërtuar me futbollistë të rinj, por që po dominon ndaj çdo kundërshtari. Tekniku portugez ka përgëzuar lojtarët e tij për kualifikimin, por e cilëson fitoren 3-1 ndaj Mançester Sitit një rezultat që e priste.
“E kam parë shumë herë ndeshjen e parë, ku u mundëm 5-3 dhe sinqerisht më dukej rezultat i padrejtë. Luajtëm mjaft mirë, por në fund nuk patëm fat. E dija që po të luanim me të njëjtën dëshirë, duke bërë presing të vazhdueshëm dhe të finalizonim saktësisht, do t’ia dilnim. Është një shpërblim për të gjithë punën e madhe që kemi bërë dhe nuk do të ndalemi me kaq”, deklaroi 42-vjeçari.
“Këta futbollistë janë të një niveli shumë të lartë, pavarësisht se kanë një moshë të re. Nuk është e rastësishme që luajmë në formacion dhe në klubin tonë. Për të arritur deri këtu, ka pasur një organizim të përsosur. E rëndësishme është që të argëtohemi. Më vjen keq që Mançester Siti nuk do të jetë më pjesë e Champions-it, pasi kanë dhuruar një futboll cilësor. Por, jemi me meritë në çerekfinale”, shtoi Zhardim.