Greqia, asnjë shpresë në të ardhmen e afërt

Gjatë rrugës së gjatë të dramës së borxhit grek, zhgënjimi dhe shpresa kanë qenë dy ndjenjat që kanë alternuar njëra-tjetrën emocionet e popullit të Greqisë pas çdo qeverie që ka ndryshuar. Me krizën e vendit që nuk ndodhet aspak drejt zgjidhjes edhe pse kanë kaluar shtatë vite që nga shpërthimi i saj, negociatat me kreditorët kanë hasur një tjetër ngërç dhe Europa është përfshirë nga pasiguria. Nevoja e theksuar për shpresë është ndjerë shumë gjatë kohëve të fundit.
“Greqisë i nevojitet rritje e menjëhershme”, ka thënë zëvendëskryeministri i vendit, Yannis Dragasakis, për “Guardian” përpara takimit të rëndësishëm të kabinetit që u zhvilluar të hënën. “Do të diskutojmë një strategji tjetër të rritjes ekonomike që do të fokusohet kryesisht në nxitjen e investimeve dhe reduktimin e papunësisë deri në nivelet përpara krizës, pra deri në 8 për qind gjatë 10 viteve të ardhshme”.
Qeveria e majtë e Athinës është në dijeni se humori popullor është duke u errësuar. Ditën e dielë, 6 nga 10 grekë deklaruan se nuk besonin se kriza do të përfundonte gjatë 10 viteve të ardhshme, sipas një sondazhi të Dianeosis. Papunësia është në normën 23 për qind – rreth 50 për qind ndërmjet rinisë greke – dhe kjo deri tani është pengesa kryesore që nuk i lejon grekët të bëhen optimistë për të ardhmen.
“Natyrisht që askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në Europë pas Brexit dhe pas zgjedhjes së presidentit Trump”, thotë Dragasakis, duke folur në forumin ekonomik Delphi. “Por skenari pozitiv për Greqinë është pozitiv edhe për Europën dhe që kjo të ndodhë, duhet t’i themi ‘mjaft reformave të egra ekonomike’”.
Teksa lundronte përmes kolapsit ekonomik të vendit, çdo qeveri e paskrizës në Athinë është përpjekur të paktën një herë të ndryshojë narrativën duke e drejtuar vëmendjen tek zhvillimi dhe rritja. Por devijimi i fundit vjen në mes të provave se administrata dypartiake e kryeministrit Alexis Tsipras ka bërë një hap më tej duke afruar Bankën Botërore për një borxh prej 3 miliardë eurosh për të financuar politikat dhe programet e punësimit.
Kjo lëvizje nënvijëzon dëshpërimin e një qeverie që po përpiqet të adresojë normat gjithmonë e më të larta të varfërisë në vend. Javën e kaluar, Instituti për Kërkime Ekonomike tha se varfëria në Greqi pas paketës së shpëtimit është rritur me plot 40 për qind ndërmjet viteve 2008 dhe 2015, rritja më e madhe historike për një vend europian.
Tsiprasit i kanë thënë se do të duhet të implementojë reformat e tregut të punës dhe të miratojë taksa të tjera për pensionet dhe të ardhurat nëse kërkon vërtet që Greqia të arrijë surplusin prej 3,5 për qind – përpara se të merren në konsideratë pagesat e interesave – sapo të përfundojë programi aktual i shpëtimit në gusht të vitit 2018. Vendi do të duhet të paguajë borxhin prej 7 miliardë eurosh në muajin korrik dhe me kasat qeveritare pothuajse të zbrazura do të kishte të vështirë të shmangte falimentimin apo daljen nga eurozona, nëse nuk miratohet programi i shpëtimit i radhës.
Perspektiva e uljes së mëtejshme të pensioneve, kur kanë pësuar 12 herë të tjera ulje dhe disa prej pensionistëve po mbijetojnë me pak më shumë se 300 euro në muaj, e ka shtuar edhe më shumë mungesën e plotë të shpresës në vendin tashmë më të dobët të eurozonës.
“Do të na duhet të bëjmë kompromis”, pranon Dragasakis. “Edhe pse këto kërkesa janë tërësisht irracionale”, vazhdoi ai, duke shtuar se problemi i vërtetë i Greqisë është se u ndodh në mes të një beteje të shëmtuar ndërmjet kreditorëve që diskutonin se çfarë duhet të bënin me një borxh po arrinte në 180 për qind të GDP-së.
FMN-ja parashikoi se borxhi do të arrinte në normën shpërthyese të 275 për qind në rast se nuk bëhen lëshime, për të cilat Gjermania, ofruesja më e madhe e fondeve të shpëtimit, deri tani i ka refuzuar me këmbëngulje. “Kjo është arsyeja përse nuk e kemi përfunduar shqyrtimin”, thotë Dragasakis për raportin e progresit që Athina duhet ta përfundojë për të marrë asistencë të mëtejshme.
Qeveria greke është akuzuar se po e vonon qëllimisht implementimin e reformave. “Kjo qeveri nuk ka për të implementuar reforma sepse nuk beson në to”, tha lideri kryesor i opozitës, Kyriakos Mitsotakis në forumin Delphi. “Ajo që na nevojitet është një plan i mirë dhe një vizion i qartë për të dalë nga kriza”, tha Nikos Xydakis, ish-ministri i Çështjeve Europiane, i cili tani është kryetar Parlamenti për Partinë Syriza. “Një plan për situatën financiare, por edhe një vizion për identitetin e ri grek pasi të dalim nga kjo krizë”.