Gjendet një kufomë e dekompozuar në Vlorë

Një trup i dekompozuar i seksit mashkull është gjetur mëngjesin e djeshëm në afërsi të Zvërnecit. Sipas policisë, në Portonovë në breg të detit është gjetur i mbuluar me rërë një kufomë e seksit mashkull, në gjendje të dekompozuar. Trupi dyshohet se ka mbi tre muaj që ndodhet në këtë gjendje. Policia po punon për të zbardhur identitetin e viktimës dhe po kalohen në sitë të gjithë personat që janë shpallur të humbur, kryesisht në Vlorë.
Në xhepat e rrobave që mbante veshur viktima, nuk është gjetur asnjë dokument identifikimi. Sipas hetuesve ka dyshime që personi i gjetur të jetë një peshkatar i zonës. Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe trafikant droge. Zona e Portonovës, për shkak të largësisë së saj dhe një vend thuajse i izoluar, disa herë është përdorur nga trafikantë për transport të lëndës narkotike drejt Italisë.