Gazeta italiane: Çështja e mbetjeve ‘shkund’ qeverinë shqiptare

Sergio di Stasio

Siç del nga vendimi i Këshillit të Ministrave i shtatorit 2016, i cili autorizoi importin dhe tranzitin e mbetjeve kimike e industriale, dëshmon pa diskutim interesimin e fortë e sferave të larta të Tiranës për t’i dhënë hapësirë një biznesi që ishte mohuar dhe që askush nuk e mendonte se mund të autorizohej pikërisht nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Ishte ai në fakt që kishte dalë kundër importit të mbetjeve gjatë fushatës elektorale. Një ndryshim kursi kaq i madh duhet justifikuar dhe jo thjesht nga ana politike.
Po hetohet edhe nga ana italiane. Janë të paktën 13 hetime të hapura nga pala italiane për trafikun e mbetjeve jashtë vendit. Në atë pikë sa që Prokuroria Kombëtare Antimafia, e drejtuar nga gjykatësi Franco Roberti ka ngritur një koordinim për të ndjekur të gjitha zbulimet e këtij biznesi kriminal, që përfshin me kohë të plotë “Ecomafiat” kombëtare, më aktivet në Europë.
Për mbetjet urbane dhe industriale, mafia, Camorra dhe Ndragheta, kanë konsoliduar një pakt strategjik për të ‘rrëmbyer’ sitet e asgjësimit si në vendet e Europës Lindore, ashtu edhe ata ballkanike. “Pakti i landfilleve” (Il patto delle discariche), e kanë përcaktuar…
Çështja më aktuale e hetimeve është pikërisht ajo që i takon 1300 konteinerëve të mbetjeve të zhdukur në Shqipëri, që ishin nisur drejt Shkupit dhe nuk kanë mbërritur kurrë në destinacion.
Pas zbulimeve të “Romës”, shumë televizione e gazeta, në Shqipëri, Greqi e Maqedoni, po e ndjekin me vëmendje ngjarjen. Siç u tha edhe më sipër, Prokuroria e Durrësit – qyteti portual nga i cili konteinerët hynë në Shqipëri, të ardhur me anije nga porti italian i Gioia Tauros – pasi nisi hetimet ka lëvizur me shpejtësi në kërkim të përgjigjeve.
Edhe Ministria e Mjedisit, pas verifikimeve të para, ka siguruar se jo vetëm duhet sqaruar misteri i konteinerëve, por edhe që as ata dhe as shumë të tjerë nuk kanë kërkuar apo marrë lejen e nevojshme për tranzitin e mbetjeve në territorin e vendit. Në Tiranë janë rritur polemikat e opozitës kundër qeverisë së drejtuar nga Rama.
Shefi i opozitës në Parlament ka folur për gjenocid ambientalist, duke përdorur një metaforë të fortë, sigurisht, por e përshtatshme duke iu referuar dhjetëra episodeve helmimi të territorit në më pak se një dekadë.
Ndërkohë, pranë ambasadave italiane në Shkup e Tiranë, ka një prani të shtuar të efektivëve të Guardia di Finanza, që po hetojnë për konteinerët e humbur dhe për rrugët e trafikut të helmeve.
Të dhënat e rezervuara të hetimeve që po kryhen nuk janë fryt i ndonjë dhunimi i sekretit hetimor. Konturimi i kësaj çështjeje shqetësuese, e destinuar për zhvillime të sekrete dhe të bujshme, ka dalë nga një shënim i një funksionari të Institutit për tregtinë e jashtme të Shkupit që kishte informuar eprorët e tij për prezencën e njerëzve të ‘policisë fiskale’ italiane dhe madje diplomatëve, të interesuar për të verifikuar origjinën e vërtetë të ngarkesave dhe për të zbuluar, një komplot të ngatërruar të mundshëm të përgjegjësve lokalë që kishin favorizuar biznesin e jashtëligjshëm.
Nga ana tjetër, nëse 1300 konteinerë mbetjesh zhduken në një vend si Shqipëria, me siguri që trafikantët duhet të kenë bashkëpunëtorë. Dhe dyshimin që edhe politika mund të jetë, në një farë mënyre, në çështjen e mbetjeve e konfirmon ligji që një “lob” deputetësh kërkoi ta kalonte në Parlament për të legalizuar importin ndërkufitar të mbetjeve. Ligj, ndër të tjera, i mbështetur fuqishëm nga kryeministri Edi Rama, i cili hedh poshtë në këtë mënyrë premtimet dhënë zgjedhësve gjatë fushatës elektorale.
“Kurrë më mbetje nga jashtë në Shqipëri”, tha atëherë. Dhe, në një vend pa impiant përpunimi, ku edhe landfilli i Tiranës duket si një kazan në qiell të hapur, arkaik dhe i rrezikshëm për shëndetin, mbetet për t’u pyetur se si kishin menduar të merrnin edhe mbetjet e të tjerëve.
Vendimi i qeverisë ka tërhequr mbi vete shumë kritika. Në Shqipëri, gjatë këtyre viteve, është pjekur një sensibilizim i fortë ambiental: qytetarë, shoqata, parti politike, përpiqen të mbrojnë territorin dhe shëndetin e qytetarëve pikërisht nga “karteli” i interesave. Rama këta interesa i përdori në fushatën elektorale. Kthimi i pashpjegueshëm prapa trazon ujërat, të turbullt që më parë, të politikës shqiptare.

Denoncimi, ja tunelet ku janë fshehur mbetjet kimike të ardhura nga Italia

Ish-kryeministri Berisha ka publikuar denoncimin e një pedagogu, që hedh idenë ku janë fsheur mbetjet e ardhura nga Italia në 1300 konteinerë. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, pedagogu dixhital denoncon tronditjen e madhe të banorëve të fshatrave rreth malit Shpirag, pasi ata kanë të dhëna se në tunelet, bunkerët dhe galeritë e asaj zone dhe zonave përreth janë groposur helmet kimike dhe lëndët radioaktive të ardhura nga Italia. Banorët e zonës kanë parë në fundin e gushtit fillimin e shtatorit 2016 autokollona kamionesh të shoqëruara nga ushtria. Për këtë, Berisha i bën thirrje Prokurorisë së shtetit të hetojë me përgjegjësinë më të madhe “këto informacione tronditëse”.
Mesazhi i postuar nga Berisha
“Përshendetje zoti Berisha. Unë jam pedagog universiteti desha t’iu informoj se banorët e fshatrave pranë malit Shpirag janë shumë të tronditur, pasi ata kanë dyshime shumë të forta që një pjesë e konteinerëve me helme kimike dhe radioaktive nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit mund të jenë futur në tunelet e komunizmit.
Po në këtë periudhë ka banorë që thonë se kanë konstatuar lëvizje shumë të dyshimta komionësh të huaj dhe autokollonash të shoqëruara nga ushtria. Ju lutem shumë ngrijeni zërin dhe kërkoni të kontrollohet çdo tunel, galeri dhe bunker, pasi depozitimi i lëndëve radioaktive apo helmeve kimike mund të ketë pasoja katastrofale për qytetin e Beratit dhe vetë Shqipërinë nëse dyshimet për fshehjen/groposjen e mbetjeve kimike rezultojnë të vërteta.

VKM e Ramës i hapi rrugën futjes së lëndëve të rrezikshme në Shqipëri

Ka qenë data 21 shtator, (kohë kur përkon me zhdukjen e konteinerëve) kur me anë të një vendimi qeverie, Rama do i hapte rrugë lëndëve kimike të rrezikshme në vend. Si shumë VKM të tjera, edhe kjo që është firmosur në periudhën që përkon me dyshimet e zhdukjes së koteinerëve shumë të përfolur është marrë pa diskutime dhe pa praninë e gjithë ministrave në mbledhje. Ai ka firmosur një vendim qeverie, pikërisht për ‘Lëndët e rrezikshme kimike’, duke dhënë kështu visto dhe ligjshmëri për importin dhe kalimin e tyre tranzit në vendin tonë. “Syri.net” ka mundur të sigurojë vendimin e plotë të qeverisë, i mbajtur i fshehtë për publikun dhe shoqatat e ambientalistëve shqiptarë. Bëhet fjalë për VKM e datës 21 shtator të vitit 2016, ‘Për eksportin dhe importin e kimikateve të rrezikshme’. Materiali i firmosur nga kryeministri Rama është tejet i gjatë dhe mjaft i koklavitur, mes kapitujsh e pikash, konventash ndërkombëtare etj. Por ajo që mund të lexohet qartë është, se vendi ynë për herë të parë lejon importin dhe eksportin e lëndëve dhe mbetjeve të rrezikshme të të gjitha llojeve. Gjithashtu në këtë vendim qeverie, i hapet rrugë edhe kthimit të vendit tonë si vend tranzit, për këto lëndë të rrezikshme. Pikërisht me ‘lojën e tranzitit’, mediat italiane kanë ngritur ditët e fundit dyshime dhe akuza, se ekomafia italiane ka groposur në vendin tonë gjatë fundvitit të shkuar më shumë se 1300 konteinerë të mbushur me lëndë të rrezikshme kimike”, shkruan portali. Pra, çfarë po ndodh. Nga një anë ligji ndalon importin e çdo mbetje kimike të rrezikshme dhe në anën tjetër, kemi një vendim qeverie, i cili i lejon. Por jo vetëm kaq. Edi Rama i ka hapur rrugën eksportit dhe importit të mbetjeve kimike, shumë më herët se të bëhej zhurma për importin e plehrave. Në mars të vitit të shkuar, u hartua një ligj, i cili lejonte për herë të parë importin, eksportin dhe tranzitin e lëndëve kimike të rrezikshme nëpërmjet territorit tonë. Duhet të jemi të qartë, me mbetje të rrezikshme nuk nënkuptohen vetëm mbetjet radioaktive, por dhe vajrat e makinave, ilaçet e skaduara, të cilat kontaminojnë ambientin. Vetëm para disa kohësh, një emision investigativ do të zbulonte tonelata ilaçe të groposura buzë një lumi në Tiranë, që i përkisnin mesit të viteve 1990-të. Denoncimi ishte bërë nga banorët, por askush s’dinte të thoshte se nga vinin. Ligji u kalua pa shumë zhurmë e bujë dhe u miratua nga votat e shumicës. Në nenin 38 të këtij ligji përcaktohen qartë dhe procedurat doganore që duhet të ndjekë kimikati para se të lejohet të hyjë në tokën shqiptare. “Përpara çlirimit për qarkullim të lirë (vendosjes në treg) të kimikatit të rrezikshëm, autoritetet doganore verifikojnë dokumentacionin shoqërues të kimikateve të rrezikshme, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij”, thotë neni 38, pika një e këtij ligji. Që në hyrje të tij, ligji shprehet përveç të tjerave se ky ligj ka si qëllim: “Të sigurojë lëvizjen e lirë të kimikateve dhe mallrave të tjera, si dhe të rrisë konkurrencën dhe inovacionin”. Pra, duket se qeveria dhe mazhoranca që ajo kontrollon, i ka hapur me kohë rrugën kalimit të lëndëve të rrezikshme nëpërmjet territorit tonë. Se sa është shfrytëzuar kjo hapësirë ligjore nga mafia e mbetjeve të rrezikshme, kjo mbetet për t’u parë. Pra, mbetjet kimike fare mirë kanë kaluar tranzit, duke hyrë si “lëndë kimike”. Kjo është fare e thjeshtë, pasi nuk është hera e parë që në dogana kalojnë mallra, të cilat deklarohen ndryshe nga ato që thonë. Në rast se në doganat tona kalojnë drejt Italisë, me qindra e mijëra tonë drogë kanabis dhe ato i mbyllin të dyja sytë, atëherë përse do të duhet të habitemi aq shumë në rast se në vendin tonë kanë hyrë dhe janë zhdukur konteinerë dhe tonelata të tëra me mbetje të rrezikshme.