“Frika” nga numrat zhvendoset nga opozita tek mazhoranca

Artur ROSHI

Para datës 18 shkurt, kur opozita po organizonte protestën termi “frikë” ishte ankthi i kësaj proteste. “Frika” shoqëroi drejtuesit lokalë të bllokut opozitar në dilemën se do të arrinin pritshmëritë e lidershipit opozitar për një pjesëmarrje masive të qytetarëve në proteste apo jo. Kjo “frikë” e tyre ngrihej mbi “frikën” e çdo qytetari për të dalë në protestë pavarësisht pakënaqësisë së tyre tashmë të kthyer me “mllef” kundër keqqeverisjes. Nga se buronte kjo “frikë”? Nga frika e humbjes së ndonjë vendi pune të ndonjë të afërmi të familjeve të tyre? Nga frika se do të goditeshin bizneset familjare të tyre? Pra që do të thotë nga frika që vjen pasojë e dhunës psikike qeveritare shumëdimensionale? Unë them që jo.Unë them se në thelb kishin “frikë” nga numrat e vegjël. Ka të bëjë me faktin se ku bën pjesë çdo kush, saktësisht tek ata që janë më pak, që jemi “NE”, apo tek ata që janë më shumë, që janë “ata”. Ankthi i të paqenit “i plotë” gërshetuar me pasigurinë sociale në shkallë të gjerë që ka krijuar qeveria e sotme prodhoi “frikën” tek qytetarët. Pra, del qartë se raporti i njerëzve të qeverisë dhe qytetarëve nuk respekton parimin e simetrisë në hiearkinë e fuqisë së shoqërisë, që do të thotë se shteti ka goditur qytetarin disa fish të fuqisë që mund të përballojë ai. E gjitha kjo në kontekstin ekonomik. Thënë ndryshe është një terror që bëhet në emër të barazisë ideologjike, por jo në emër të shanseve të barabarta, terror në emër të ligjit dhe drejtësisë, por jo në emër të së drejtës, terror në emër të shtetit të fortë, por jo në emër të shërbimit solid që duhet të ofrojë shteti. Ideja e shumicës politike nuk është e pavarur nga ideja e pakicës politike. Që të ekzistojë një shumicë, matematikisht ka nevojë për ekzistencën e një pakice. Në politikë shumica politike dhe pakica politike vijnë si produkt i numërimit të votave, pra si një besim qytetar në trajtën e numrave. Në datën 18 shkurt u ndien të suprizuar të dy palët si shumica politike që qeveris si pakica politike në opozitë. Shumica politike ose qeveria vuri re që rrezikohej të quhej shumicë dhe pakica politike ose opozita vuri re, që mund të mos ishte më pakicë. Kjo datë zhvendosi “frikën” nga numrat e vegjël të opozitës drejt numrave të vegjël të mazhorancës. Sot kemi një”frikë” të qëndrueshme të qeverisë që vjen për shkak të saj, dhe që pasqyrohet në fuqinë e qytetarëve shprehur në këmënguljen e protestës. Pra kemi “frikën” që ka qeveria nga numrat e vegjël të saj. Kjo është arsyeja pse qeveria nuk pranon përballjen me lirinë e votës së qytetarëve, ka “frikë” nga fuqia e tyre që sipas parimit të simetrisë e përmbys atë. Opozita e bashkuar sot ka një fuqi magjike, ka fuqinë e lirisë, fuqi që funksionon kur krijohen kushtet për të funksionuar. Këtë kërkon opozita, këtë kërkojnë qytetarët, këtë kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë, këtë kërkon prosperiteti i kombit tonë. Kjo bën shkëputjen tonë përfundimtare nga sistemi socialist në sistemin kapitalist, nga demokracia e rreme në një demokraci të vërtetë. Ky parim “i lirisë” që ekziston kur ka “votë të lirë” (votim dhe numrim elektronik e pa ndarë nga identifikimi biometrik) ka të bëjë me ekzistencën e jetës së njeriut si qenie njerëzore. Ky është parimi i qytetërimit perëndimor euro-atlantik, që përpin si uragan çdo fuqi që e kundërshton. Parimi i së drejtës nuk zhvillohet pa hapësirën e lirisë, prandaj çdo gjë tjetër veç kësaj përfshirë këtu edhe drejtësinë (vetingun) janë një justifikim për mbajtjen dhe kontrollin e pushtetit. Opozita kërkon parimin për të përmirësuar përfundimisht sistemin e metodave të funksionimit të një shteti demokratik të vërtetë. Unë them se liria (vota e lirë) nuk blihet dot me 50 euro nga tutorët e trafikut. Deri sot nuk është blerë liria (vota e lirë), sepse ajo nuk ekziston, por është blerë falsiteti i saj, sepse në këtë sistem votimi që kemi sot, njerëzit e dinë se mënyra e votimit të tyre kuptohet nga tutorët dhe ata janë të frikësuar dhe peng i këtij sistemi politik që kontrollon lirinë e tyre totalisht. Liria është një ndjenjë që vjen nga subkoshienca e njeriut në mënyrë të natyrshme. Ajo nuk ka logjikë dhe nuk mund të gjykohet se si vepron, prandaj unë them se garantimi i saj e rrëzon këtë qeveri që vepron sipas instiktit të pushtetit dhe jo interesit të qytetarit. Kryeministri thotë se ka mandat deri më 18 qershor. Ky nuk mund të jetë argument, sepse vendi i kryeministrit nuk mund të shihet si një vend pune, p.sh si Avokati i Popullit, sepse ai lë gjurmë të fortë në cilësinë e jetës së njerëzve dhe sfida është ta përmirësosh dhe jo ta përkeqesosh. Kjo është sot edhe sfida e opozitës, gjurma e qeverisjes së nesërme dhe jo thjesht marrja e pushtetit. Nëse sot me këtë situatë që jemi do të ishte data 19 qershor, qeveria do e kish mbyllur mandatin. A do të kishim një qeveri teknike me mandat të kufizuar për të fiksuar lirinë e votës përfundimisht sipas kushteve të opozitës? Nuk gjejmë logjikë ta kundërshtojë, atëherë problemi qëndron tek zgjidhja e situatës apo tek vendi i punës për ministrat e qeverisë. Qeveria vendin e punës nuk e ka si pasojë e biznesit të saj, por si i emërim i interesit qytetar, prandaj ajo duhet ta lërë me vullnet vendin e punës, duke kaluar përtej këtij koncepti analitik dhe duke u ngritur në nivelin moral të postit të një kryeministri që vjen të lërë gjurmë pozitive në jetën e vendit dhe jo të zërë një vend pune.