Financimi i Soros nga USAID

John Moody

Maqedonia i dha botës Aleksandrin e Madh, i cili, siç thotë legjenda, qau kur nuk kishte më toka për të pushtuar. Tani, George Soros, miliarderi i krahut të majtë, i cili gjithashtu dëshiron të sundojë botën, po trazon ngjarjet që mund ta futin Maqedoninë në kaosin e një lufte civile dhe mund të përshkallëzojnë tensionin midis SHBA dhe Rusisë.
E gjendur midis Greqisë, Kosovës dhe Shqipërisë – dhe miqësore me asnjë prej tyre – Maqedonia është një arnim etik gjuhësh, besimesh dhe besnikërish. Vitin e kaluar, një grup partish opozitare që përfaqësojnë komunitetin kryesisht mysliman të pakicës shqiptare krijoi një koalicion të brishtë që mund t’u jepte shansin të formonin qeverinë e re.
Presidenti George Ivanov, anëtar i Partisë Nacionaliste, refuzoi të pranonte koalicionin e opozitës, duke deklaruar se ishin kukulla në duart e qeverisë shqiptare. Protestues nga të dy krahët u derdhën në rrugët e Shkupit, duke krijuar skenën për një konflikt të mundshëm.
Prapa skene, Soros besohet të ketë shpenzuar pjesë nga pasuria e tij e madhe për të krijuar grupe në Maqedoni, të cilët do ta çonin më tej axhendën e tij socialiste. Midis tyre: Platforma për Politikë të Orientuar nga Qytetarët, Gazetarët për të Drejtat e Njeriut dhe një qendër përkrahjeje për LGBT.
Soros, veprimtaria e të cilit nuk lë vend për dyshime që favorizon të majtën e qendrës, nuk i kursen shpenzimet për kauzat që përkrah. Thuhet se ka shpenzuar miliona dollarë për protestën e javës së kaluar në SHBA “Dita pa Gra”. Ai është edhe forca kryesore pas moveon.org.
61 grupe të krahut të majtë në Maqedoni, të lidhur me Fondacionin e Sorosit Open Society, kanë marrë miliona dollarë nga Agjencia e SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Departamenti i Shtetit gjatë administratës Obama. Këto ditë, disa senatorë republikanë i shkruan Departamentit të Shtetit duke u ankuar për këtë harxhim të dollarëve të taksapaguesve.
SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Ivanovit të ndryshojë qëndrim dhe të lejojë koalicionin e kundërshtarëve të tij të krijojë qeverinë. Nga ana tjetër, Rusia përkrah Ivanovin dhe thotë se Perëndimi po përpiqet t’i imponohet Maqedonisë.
Prapa gjithë kësaj qëndron një rrymë antipatie maqedonase kundrejt minoritetit etnik shqiptar, i cili përbën çerekun e popullsisë. Ndërsa shqipja është gjuha e dytë zyrtare e Maqedonisë, përdorimi i saj është i kufizuar me ligj. Ivanov ia doli me sukses të ruante ndjenjat nacionaliste, duke deklaruar se një qeveri e drejtuar nga kundërshtarët e tij politikë do të instalonte shqipen si gjuhë të barabartë.
Maqedonia mund të mos jetë në krye të shqetësimeve të Presidentit Trump, për momentin. Por është një vend me shumë konflikte të mundshëm ku SHBA dhe Rusia mund ta shohin veten në palët kundërshtare.

*John Moody është zv/president ekzekutiv dhe editor ekzekutiv i “Fox News”, ish-shef i zyrës së Romës për revistën “Time”