Finale para kohe!

Shorti i Nyon dhuroi dy çerekfinale që vlejnë finalen e Championsit, goglat rezultuan vërtet të nxehta me përballjet që dhuruan. Sfidë intriguese ajo mes Bajernit të Mynihut dhe Realit të Madridit, dy prej pretendentëve kryesorë. Ançeloti Championsin e fundit e fitoi pikërisht në krye të Los Blancos, një La Decima historike pasi kishte eliminuar me Realin në gjysmëfinale Bajernin e Guardiolës duke e poshtëruar 4-0 në “Allianz Arena”, ndërsa e mundi 1-0 edhe në “Bernabeu”. Tani Ançelotit, një mjeshtër i Championsit, i duhet të eliminojë Zinedine Zidane. Një tjetër çerekfinale që vlen finalen vjen nga thrilli i goglave që vendosën përpara Juventusit një nga kundërshtarët më të vështirë të mundshëm, Barcelonën që vjen në këtë fazë pas përmbysjes së pabesueshme 6-1 ndaj Paris Saint Germain.
Kushedi se çfarë do të ketë menduar Buffon që para shortit kërkoi të evitonte Leicester. Para tre vitesh dy skuadrat përballeshin në finalen e Championsit në Berlin ku Barcelona fitonte 3-1 me bardhezinjtë që tani kanë shansin e revanshit. Në dy sfidat e tjera ndërthurje sërish interesante, me Borusian e Dortmundit që vihet përballë zbulimit të këtij sezoni Monacos, një përballje mes dy skuadrave që dashurojnë futbollin e hapur, ndërsa në sfidën tjetër përballë Atletikos së Diego Simeones vihet përballë Leicester.
Zinedine Zidane, trajneri i Real Madridit, ka folur për përballjen me Bayern Munihun në çerekfinale të Ligën e Kampionëve. Sipas francezit shanset për kalim në gjysmëfinale janë 50 me 50.
“Shorti na ka hedh para një kundërshtari shumë të mirë dhe të vështirë. Kam mësuar shumë nga Karlo Ançeloti dhe besoj se gjasat për kualifikim janë 50-50”, tha Zidane në konferencë për mediat para ndeshjes me Bilbaon.
“Nuk kam folur me Karlon për këtë. Ata kanë një skuadër të mirë, do të jenë dy ndeshje të bukura. Duhet të shënojmë gol jashtë, kjo është shumë e rëndësishme për ne”, shtoi strategu francez.
Pavel Nedved, drejtori sportiv i Juventusit, i ka bërë me dije Barcelonës se lideri i Serie A është përmirësuar shumë nga viti 2015. “Juve është përmirësuar shumë që nga vitit 2015 kur është ndeshur në finale me Barcelonën. Ky ekip mund të luajë pa frikë ndaj Barcelonës”, ka deklaruar Nedved. Barcelona e kishte mundur Juventusin në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2015 me rezultat 3:1.
Ndeshjet
Atletiko Madrid – Leister Siti
Borusia Dortmund – Monako
Bajern Mynih – Real Madrid
Juventus – Barcelona
Takimet e para luhen të martën më 11 dhe të mërkurën më 12 prill, kurse të kthimit një javë më pas (18 dhe 19 prill).
Rruga drejt finales
Çerekfinalet: 11/12 dhe 18/19 prill
Shorti i gjysmëfinaleve: 21 prill
Gjysmëfinalet: 2/3 dhe 9/10 maj
Finalja: Të shtunën, më 3 qershor, ora 20:45, në Stadiumin Kombëtar të Uellsit në Kardif.