Favorizime ndaj nesh? Muhabete bordellosh!

Masimiliano Alegri as që ka ndërmend ta fshehë apo ta frenojë buzëqeshjen e tij përpara gazetarëve. Fitorja në sekondat e fundit kundër milanit, e 31-ta radhazi në “Juventus Stadium”, e lumturon, ndonëse ai nuk e pa goditjen e Paulo Dibalës, pasi me t’u akorduar penalltia vrapoi drejt dhomave të zhveshjes.
“Nuk preferova ta shihja atë moment, por iu drejtova tunelit, sepse e prisja se çfarë do të ndodhte në fund, flet 49-vjeçari, duke iu referuar nervozimit të post sfidës, ndonëse si lider i Juves menjëherë ngre mburojat. Kur ndodhin episode kundër nesh, asnjëri nuk thotë asgjë. Por kur janë në favor, të gjithë janë gati për të bërë muhabete të denja për një bordello”, u shpreh Alegri.
“Konti Maks” nuk ka dyshime se Juventusi i tij bëri një paraqitje mjaft të mirë, edhe pse është i nervozuar me faktin se ekipi shpërdoroi shumë. “Ishte një sukses i merituar nga ana jonë, pas një ndeshjeje spektakolare, gjatë së cilës i lejuam Milanit më shumë hapësira sesa e kishim menduar. Kemi gabuar gjithashtu shumë përpara portës, por në përgjithësi jam mjaft i kënaqur me atë çfarë bëmë në shumicën e ndeshjes. Ky do të ishte mendimi im edhe sikur të kishim barazuar.
Mungesat e Kuadrados dhe Manxukiçit? Në këtë moment, i gjithi grupi ka një formë të shkëlqyer, prandaj kushdo që luan jep më të mirën e tij. Pse ne gjithmonë të sulmuar? Sepse të tjerët na kanë frikë dhe kapen pas episodeve të çuditshme. Ajo që di të them është se 70 pikë deri në këtë pjesë të kampionatit nuk bëhen rastësisht”, deklaroi tekniku livornez.
Pas protestave në fushë nga ana e Milanit, për penalltinë e akorduar për Juven në minutën e 95-të, nga gjyqtari i takimit, polemikat kanë vazhduar edhe me deklaratat e pas ndeshjes. Këtë herë ka qenë autori i realizimit të 11 metërshit, Paulo Dybala, ai që ka sulmuar milanistët. “Milani ka 6 vite që ankohet. Të gjithë flasin për penalltinë e dhënë në fund dhe asnjë nuk penalltinë që na u mohua në pjesën e parë, pas ndërhyrjes së Zapatës. Duhet të jemi më të ndershëm. Kur na ndodh neve, thjesht ulim kokën dhe punojmë”, komentoi sulmuesi argjentinas polemikat e pas-ndeshjes.
Dybala, i cili kishte humbur penalltinë e fundit përballë Donnarummës, në ndeshjen e Superkupës italiane, ka një koment edhe për këtë. “Kam mbyllur një llogari të hapur, pas penalltisë së humbur në Supërkupë. Këtë herë godita shumë më mirë dhe shënova”, tha ai.  Në fund sulmuesi juventin premtoi se, pas ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtares, do të ketë të reja edhe për rinovimin e tij me ekipin bardhë e zi.