Fakte interesante të Champions

Me çiftet çerekfinaliste tashmë të përcaktuara, është koha t’u hedhim një sy disa kurioziteteve dhe fakteve interesante nga përballjet e shkuara mes tetë skuadrave që vijojnë rrugëtimin në Ligën e Kampioneve.
– Reali i Madridit dhe Bajerni i Mynihut janë përballur dhjetë herë mes tyre, me një bilanc plotësisht të barabartë: pesë fitore për kokë.
– Reali i ka mposhtur rivalët bavarezë në tri ndeshjet e fundit, përfshirë gjysmëfinalet e sezonit 2013-2014. Nën udhëheqjen e Karlo Ançelotit, teknikut aktual të Bajernit, madrilenët triumfuan 4-0 në takimin e kthimit në Gjermani duke i shkaktuar Bajernit disfatën më të thellë brenda fushe në kupat e Europës.
– Megjithatë, historia flet në favor të bavarezëve, që kanë një bilanc pozitiv ndaj rivalëve iberikë në 22 duelet e mëhershme. Bajerni ka dalë i fituar 11 herë kundrejt 9 të “Galaktikëve”, ndërsa vetëm 2 takime janë mbyllur pa fitues. Bajerni i ka shënuar Realit vetëm 2 gola më shumë, 33-31.
– Para dhjetë vitesh, sulmuesi holandez i Bajernit, Roi Makai, shkroi historinë kur mposhti Iker Kasijasin e Realit pas vetëm 10.12 sekondash, goli më i shpejtë i shënuar në historinë e Champions-it.
– Përballja me Barcelonën do të thotë rikthim në “Kamp Nou” për Dani Alveshin, i cili luajti 247 ndeshje me katalanasit para se t’i bashkohej Juventusit verën e shkuar. Kur u pyet se kë dëshironte në çerekfinale, braziliani u përgjigj: “Vetëm Barcelonën jo”.
– Juve dhe Barça u takuan për herë të fundit në finalen e 2015-s, ku formacioni spanjoll triumfoi 3-1 falë golave të Rakitiçit (4’), Suarezit (68’) dhe Nejmarit (90+7’), ndërsa italianët barazuan përkohësisht me Moratën (55’).
– Dueli i para dy vitesh në Berlin ishte i shtati mes Juventusit dhe Barcelonës. Bilanci anon lehtë nga ana e këtyre të fundit, që kanë fituar tri herë kundrejt dy sukseseve të “Zonjës së Vjetër” dhe po kaq barazimeve. Pozitiv për Barçën edhe bilanci i golave, 10-8.