Ekspertët: Procedura që ndoqi Parlamenti, antikushtetuese

Juristi i njohur Çlirim Gjata deklaron se procedura e ndjekur nga Kuvendi përmes së cilës i kërkon Avokatit të Popullit të rihapë garën për kandidatët që do të jenë pjesë e institucioneve të vettingut është antikushtetuese. Në një prononcim mediatik ai shprehet se nuk ekziston asnjë dispozitë kushtetuese e ligjore në të cilën Parlamenti është bazuar në vendimin që ka marrë. “Është antikushtetuese, pasi nuk e parashikon kurrkund Kushtetuta që Avokati i Popullit të rinisë garën. Afatet kushtetuese janë afate kushtetuese. Nuk mund t’u teket meqë janë në Parlament dhe kanë votat. Politika veproi në mënyrë amorale dhe e gjeti fajin tek Avokati i Popullit. Kjo ishte thjesht një lëvizje për të fituar kohë. Nuk mundet Kuvendi ta kthejë pas. Ta gjejë dispozitën ligjore ku është, kurrkund se ka Kushtetuta. Ku e gjetën këtë 7 ditë kohë, cili nen e thotë? Mbase Zoti e bëri për 7 ditë botën po ky Parlamenti jonë s’ka shanse”, thekson Gjata. E njëjta shkelje kushtetuese sipas Gjatës vërehet edhe me anashkalimin e Presidentit të Republikës në hapjen e procesit të ri të kandidimit. Ndaj zgjidhja që ai i sugjeron klasës politike është rishikimi i ligjit të vettingut ose një ndryshim kushtetues.
“Edhe kjo është një gropë kushtetuese, sepse nëse ata ia kthejnë avokatit, avokati me shumë të drejtë mund të thotë çojani presidentit, të nisë edhe një herë nga ai procedura. Nëse ia çojnë presidentit, presidenti mund të thotë këtë procedurë e ka nisur avokati, çojeni atje ku e keni nisur dhe hajd ta gjejmë tani se çfarë bëhet. Kjo është Kushtetuta që kanë bërë. Le të mblidhen ekspertët që e bënë Kushtetutën e 21 korrikut, të ulen të rishikojnë Kushtetutën ose ligjin për vettingun”, shprehet Gjata. Të hënën Parlamenti vendosi t’u japë një javë kohë 79 kandidatëve të rekomanduar nga ONM-ja që rezultonin me mungesë dokumentacioni, si dhe aplikimeve të reja për të qenë pjesë e garës për kandidatët që do të jenë pjesë e komisioneve që do të bëjnë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjatë një seance të jashtëzakonshme parlamentare, të bojkotuar nga opozita, Parlamenti vendosi t’i dërgojë sërish tek Avokati i Popullit listat e kandidatëve dhe rekomandimet e ONM-së për anëtarët e institucioneve të vettingut. Nga 193 kandidatë, vetëm 21 prej tyre u kualifikuan dhe morën rekomandim pozitiv nga ONM. Dosja e 79 të tjerëve mund të rishqyrtohet nga komisioni ad-hoc nëse kandidatët dorëzojnë dokumente e çertifikatat e kërkuara. Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar të PS, kërkoi nga Avokati i Popullit një periudhë shtesë prej 7 ditësh për përfundimin e këtyre 79 aplikime, si dhe marrjen e aplikimeve të tjera. Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka rekomanduar që vlerësimi i 79 kandidatëve me dosje të paplota të mos bëhet nga Avokati i Popullit, por nga komisioni parlamentar ad-hoc. Kështu pra, së pari, Parlamenti ka injoruar rekomandimin e ONM-së.
Së dyti, Kushtetuta nuk e parashikon rikthimin e listave tek Avokati i Popullit. Po ashtu, Kushtetuta nuk lejon shtyrjen e afateve kohore e aq më tepër, shtimin e kandidatëve të rinj në listë. Nëse Parlamenti do të ndjekë këtë procedurë, kandidaturat e reja duhet të marrin dhe një herë vlerësimin e ONM-së përpara se të shtohen në listë. Nuk është e qartë nëse kjo vërtet do të ndodhë, pasi Kushtetuta nuk parashikon ndonjë procedurë ku pranimet e vonuara mund të vlerësohen nga ONM. Kjo do të thotë se vendimi i ONM-së për shqyrtimin e kandidaturave nga ky “raund i dytë”, do të politizojë rolin e ONM-së dhe do të kërcënojë neutralitetin e saj. Dhe së fundi, Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Punëve të Brendshme të regjimit komunist, tregon se ai kupton shumë pak nga procedurat e përshkruara në Kushtetutë. Para së gjithash janë 27 anëtarë për institucionet e vettingut e jo 28 siç shprehet Ruçi. Së dyti, komisioni i parë parlamentar ad-hoc përcakton vetëm listën përfundimtare të kandidatëve kualifikues dhe nuk i zgjedh ato, ashtu siç pretendon Ruçi. Po ashtu, është detyrë e komisionit ad-hoc, dhe jo e Avokatit të Popullit, për të rishikuar dosjet e 79 kandidatëve dhe për t’i kaluar ato në listën e të kualifikuarve, nëse përmbushen kushtet.