Ecuri rekord!

Më i fortë se polemikat. “Juventus Stadium” është garancia e bardhezinjve të Masimigliano Allegrit. Një fortesë e pathyer. Me suksesin ndaj Milanit, bardhezinjtë regjistruan fitoren e 31-të radhazi në kampionat përballë publikut të tyre. Të gjitha skuadrat e Serisë A janë larguar pa pikë nga impianti në Torino. Pavarësisht polemikave për gjykimin dhe golit të fitores 2-1 të realizuar nga Dybala me penallti kur koha shtesë kishte përfunduar, statistikat i japin të drejtë Juventusit.
Megjithë mungesat e Cuadrado-s dhe Mandzukic dhe me Dani Alves e Pjaca-n nga krahët, skema 4-2-3-1 e propozuar nga Allegri funksionon dhe duket se skuadra ka gjetur ekuilibrat e duhur. Bardhezinjtë ishin padyshim superiorë përballë kundërshtarëve në harkun e 95 minutave lojë. Portieri Donaruma u detyrua të realizojë pritje të mëdha në nëntë raste, duke mbajtur deri në fund në lojë skuadrën e Montella-s. Paraqitja e shkëlqyer e talentit të portës nuk ishte e mjaftueshme për të evituar humbjen e parë të Milanit pas pesë ndeshjeve.
Përfundimi mbetet i pandryshueshëm: Në shtëpi, asnjë skuadër nuk arrin ta ndalë Juventusin, që bëri një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit. Meritë e skuadrës, por edhe e tifozëve.
Një 11-metërsh i Dybala-së në të 96-tën i dha fitoren Juventusit në derbin e Italisë, pikërisht në momentin kur Milani mendoi se doli i pamundur nga Torino. Në një ndeshje ku heroi ishte Donaruma, Juventus gjithsesi gjeti fitoren, e merituar dhe pse gjithsesi e arritur mes polemikave. Në fakt, bardhezinjtë e dominuan takimin dhe ishte portieri i kuqezinjve që me pritjet e tij (51, 53, 61, 74) u duk sikur ndali bardhezinjtë deri në çastin kur nga 11 metrat nuk mund të frenonte më Dybala-në. Formacioni i Allegrit, e nisi më mirë ndeshjen dhe mori epërsinë e pritshme në të 30-tën me Benatia, që finalizoi një aksion shumë të bukur të vendasve.
Goli i pësuar zgjoi dhe Milanin që deri në ato momente ishte vënë në mbrojtje të rezultatit. 2 minuta para pushimit, Bacca, bëri për dush të ftohtë bardhezinjtë duke dërguar topin pas shpatullave të Buffonit.
Në pjesën e dytë, Juventus ishte sërish skuadra që diktoi ritmin duke dominuar në lojë, por u ndal nga një Don
aruma në një mbrëmje të shkëlqyer që në më shumë se një rast shpëtoi të tijtë. 30 sekonda mbi kohën shtesë, Juventus megjithatë gjeti mundësinë për të fituar, me anësorin e portës që sinjalizoi për 11-metësh pas një topi të prekur me dorë në zonë. Nga pika e bardhë Dybala nuk gaboi duke çuar Juventusin një hap më pranë titullit, ndërsa për Milanin Champions vazhdon të mbetet ende një mundësi dhe pse tani pak më e largët.