E marta mbyllet me kualifikimin tonë

“Të martën përfundon me kualifikimin për në çerekfinale të Juventusit, sepse kemi një avantazh jo të vogël nga ndeshja e parë. Dhe pse jo, shpresoj me një kor vlerësimi të tifozerisë së ‘Juventus Stadium’-it për Iker Kasijasin, pasi spikeri të ketë lajmëruar se ishte ai lojtari më i mirë i ndeshjes”.
Është ky parashikimi i Xhixhi Bufonit në pritje të ndeshjes së kthimit të 1/8-ave të finaleve të Ligës së Kampioneve, në program sot në mbrëmje, në orën 20:45, në Torino. Takimi i vajtjes në Oporto përfundoi në favor të torinezëve me rezultatin 2-0, por edhe një herë tjetër, këto dy legjenda të portës, të cilët kanë koleksionuar 42 trofe së bashku, do të ndeshen për të 18-ën herë mes tyre.
Në një intervistë të përbashkët që u ka bërë televizioni “Juventus Channel”, Bufon dhe Kasijas bëjnë parashikimet e tyre. “Sa më shpesh që ndeshem me atë, aq më i madh është vlerësimi për Ikerin, një prej portierëve ikonë të futbollit. E di që jemi miq të mirë, por edhe në këto 90 minuta të ardhshme do të jemi rivalë, ndonëse gjithmonë duke e respektuar njëri-tjetrin, bën hyrjen e tij Bufoni. Por edhe në këtë takim besoj se do të fitojmë ne, ndonëse objektivi është të kualifikohemi.
Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por jam gati që t’ia lejoj me qetësi Kasijasit që të shpallet njeriu i ndeshjes, sepse kjo do të thotë që kemi qenë ne ata që kemi luajtur dhe rrezikuar më mirë portën e tyre, por mbi të gjitha të ruajmë avantazhin. Në Champions nuk ka vend për gabime, prandaj kurrsesi nuk duhet të mendojmë se i kemi siguruar çerekfinalet”.
Nga ana tjetër, portieri spanjoll i Portos, Iker Kasijas, pranon se do të jetë e vështirë: “Çfarë do i thosha Xhixhit? I uroj fat, por vetëm nga ndeshja e ardhshme, jo përballë nesh, edhe pse e kam një mik të ngushtë.
Sa shanse kemi? Duhet të jemi realistë, sepse të martën do të jetë tepër e vështirë për të kaluar. Por, në futboll, nuk i dihet. S’duhet të mendojmë se nuk kemi shanse, përkundrazi duhet ta provojmë me të gjitha forcat tona.
Në ndeshjen e parë mbetëm shumë shpejt me një lojtar më pak, prandaj u plotësuan të gjitha kushtet që Juventusi të fitonte ndeshjen, por ne jemi një skuadër e fortë. Porto është kthyer i pari në kampionat dhe ky është një stimul i madh për ne, për të mos u dorëzuar kurrë dhe për të vazhduar me serinë e fitoreve”.