Donaruma shfryn kundër Juves

Për Xhanluixhi Donarumën epitetet kanë përfunduar tashmë, sepse një djalë 18-vjeçar me reflekset e tij në kuadratin e portës është e vështirë për t’u gjetur dhe ndoshta me të drejtë Xhanluixhi i Juventusit, Buffoni, e ka “shenjtëruar” milanistin si pasardhësin e tij.
Gjithsesi, pas paraqitjes fenomenale për 94 minuta lojë, atij iu desh të mposhtej kur kronometri shënoi 94 e 19 sekonda, pasi arbitri Masa akordoi penallti dhe pas një morie protestash, Dybala shënoi nga 11 metrat.
Fundi i ndeshjes ishte i tensionuar, shumë nervoz, madje nuk munguan as përplasjet, sepse lojtarët e Milanit, Bacca mbi të gjitha, nuk ngurroi që të sulmonte ashpër arbitrat për vendimin e tyre në fund të sfidës, ndërsa Donaruma shmangu që situata të tensionohej, ndonëse përpara kamerave të shumta që ishin aty shfryu: “Gjithmonë këta!”.
Edhe portieri kuqezi ishte nervoz, i irrituar, aq më shumë pas gjithë asaj rezistence të bërë, ndonëse protesta e tij në fund të sfidës ishte edhe me mjaft “klas”. Përpara se të hynte në tunel ai iu drejtua me gisht tifozëve të Juves në tribunë duke puthur stemën e Milanit, sikur t’u thoshte: “Unë nuk do të jem pjesë e juaja”, duke iu referuar zërave se Juventusi është skuadra kryesore e gatshme të bëjë çmenduri për atë, duke njohur edhe marrëdhënien fantastike që drejtuesit bardhezi kanë me menaxherin e tij, Mino Raiola.
Ndeshjes Juventus–Milan nuk mund t’i mungonin polemikat dhe rastet e diskutueshme, sidomos për penalltinë e akorduar në fund nga gjyqtari Davide Masa. Le t’i marrim të gjitha rastet me radhë dhe të komentojmë vendimet që u morën gjatë 90 minutave të luajtura në “Juventus Stadium”.
Rasti më i diskutueshëm i ndeshjes është penalltia e Juventusit në fundin e saj. Këtë 11-metërsh e akordoi gjyqtari pas porte, Doveri dhe Masa iu bind atij sepse e kishte pamjen më të qartë. “Eurosport” nuk mban qëndrim, por thjesht jep pamjet duke thënë se penalltia është e dyshimtë, ndërsa “Mediaset” dhe moviolisti Çezari thotë që penalltia nuk është. Sipas tij, distanca mes Lihshtajnerit dhe De Shiljos është shumë e afërt dhe mbrojtësi i Milanit nuk ka si synim të prekë topin me dorë, madje tenton ta largojë krahun për të mos shkaktuar 11-metërsh.