Dokumentet e doganave: Krimi i Ramës me 31 mijë tonë plehra

1. Zbulimet e “Pianeta Italia News” mbështeten mbi disa tabulate, të cilët i kemi në zotërim. I pari, i ardhur nga Porti i Durrësit, tregon se më 2016, nga janari në dhjetor, në Shqipëri zbarkuan 24 816 kontenierë mallrash. Ata “nën akuzë” erdhën nga Porti i Gioia Tauros, në Kalabri. Rreth 10 për qind e tyre ishin nisur për në Maqedoni, duke kaluar nga Porti i Durrësit në Qafë Thanë. Tabulate të tjerë që kemi në zotërim, të ardhur nga autoritetet doganore tregojnë analitikisht numrin e kontenierëve të tranzituar dhe prejardhjen e tyre. Nga të dhënat del në mënyrë të qartë që në Maqedoni kanë mbërritur vetëm 1140. Rreth 1300 mungojnë në apel. Pse, zoti Kryeministër, do të duhej të falsifikonim të dhëna që as nuk janë sekret e kësisoj mund të verifikohen lehtë? E pse duhet të mbrohemi nga dikush që na akuzon se kemi “shpikur” një lajm, duke ditur që këto dokumente tashmë janë në duart e autoriteteve të ndryshme gjyqësore që po hetojnë ngjarjen?
2. Nuk do t’ju ketë shpëtuar, zoti Kryeministër, se burimi i parë i hapur që dha alarmin për “mbetjet e zhdukura” ishte një funksionar i Institutit të Tregtisë së Jashtme në Shkup, që sinjalizoi se si qindra kontenierë humbën gjatë rrugës. Ishin pjesë e një kontrate për eliminimin e mbi një mijë kontenierëve me plehra, por nuk mbërritën kurrë në landfillin maqedonas, i menaxhuar nga një firmë italiane, Flc Ambiente s.r.l., e cila e bleu impiantin pikërisht për këtë punë, për përpunimin e mbetjeve urbane dhe industriale që vinin nga Italia. Funksionari lajmëroi ministrin e Ambientit, drejtorin e Doganës dhe kryebashkiakun e Shkupit. Të gjithë këta persona me autoritet u takuan disa herë dhe arritën në përfundimin se mbetjet janë nisur nga Italia dhe janë zhdukur në Shqipëri. Funksionari sinjalizon prezencën e një bërthame të “policisë fiskale” italiane që heton për këtë rast dhe dy të dërguar të ambasadave italiane në Tiranë e Shkup. Edhe për këtë rast jemi në zotërim të disa e-mail-eve të dërguara nga funksionari i ITJ të Maqedonisë eprorëve të tij, duke lëshuar alarmin për mbetjet e humbura, duke u ndalur te “marshi prapa” i qeverisë maqedonase, që hoqi autorizimin për importin e mbetjeve më 2016 dhe në “disponibilitetin” e çuditshëm të kryeministrit shqiptar, i cili paraqiti në Parlament ligjin për importin e mbetjeve urbane, industriale, kimike e të rrezikshme. Zoti Rama, a nuk thatë ju në fushatën elektorale se nuk do të lejonit kurrë që Shqipëria të bëhej kazani i plehrave të Evropës? Çfarë lidhjesh keni me botën industriale të sektorit të mbetjeve, shpesh e depërtuar – të paktën në Itali – nga krimi i organizuar?
3. Sikur të mos ishim në zotërim të kontratave që Flc Ambiente nga Frosinone ka më shumë administrata provinciale a komunale italiane për eliminimin e mbetjeve jashtë vendit, nuk do të mund të thoshim me siguri që ata kontenierë kanë hyrë në territorin shqiptar. Siç mund ta dini, firma italiane ka investuar mbi 73 milionë euro për organizimin dhe menaxhimin e landfillit të Shkupit, më i madhi në Evropë. Mbetjet, të zakonshme dhe speciale, të drejtuar për në Maqedoni, duhet detyrimisht të kalojnë përmes Shqipërisë. A ka kryer ndonjëherë kontrolle qeveria juaj për këto tranzite?
4. Si keni menduar të licenconi një biznes të kësaj natyre, duke ditur që vendi juaj nuk e ka strukturën e nevojshme as për eliminimin e mbetjeve të brendshme? Shqipëria nuk ka landfille teknologjike, Shqipëria nuk ka landfille teknologjike, inceneratorë të dorës së fundit, vendgrumbullimi të sigurt… Si mundet vendi juaj, zoti Kryeministër, të marrë përsipër rrezikun duke iu ofruar vendeve të tjera një shërbimi që nuk e kryen dot as për veten e vet?
5. Flasim për ekomafian. Prokuroritë italiane janë plot me hetime për eliminimin abuziv të mbetjeve, sidomos ato industriale, kimike, të rrezikshme dhe radioaktive. Arrestimet e fundit janë bërë vetëm dje, në Siçili… Shumë rajone italiane janë të ndotura nga veprimtaria e mafieve – Camorra, ‘Ndrangheta, Cosa Nostra, Sacra Corona Unitá – të cilat kanë groposur, mbytur, trafikuar kudo, duke konsoliduar një biznes miliardash në dëm të ambientit e të shëndetit të qytetarëve. E dini zoti Rama që në disa prej këtyre hetimeve trafikantët janë përgjuar tek flasin në telefon që duan të bëjnë biznes me landfillet shqiptare? Dhe që një gazetar, i cili ia ka dedikuar jetën luftës kundër mafias, Roberto Saviano, që më 2011 paralajmëroi njerëzit në Shqipëri se vendi juaj rrezikonte të bëhej fushë plehrash e Evropës dhe që nga hetimet e tij rezultonte se ekomafiet synonin Shqipërinë dhe territorin e saj? Me cilët do të ishin të lumtur të bashkëpunonin?
6. Zoti Kryeministër, ju jeni socialist, thoni që e doni lirinë e shprehjes dhe që punoni në të mirë të popullit tuaj. Nuk e di nëse e keni bërë më parë, por të hedhësh në gjyq një gazetë është një akt thellësisht antidemokratik. Ju duhet të ndjenit detyrimin për ta thelluar argumentin, ta vlerësonit sinjalizimin. E pastaj, pa u ndjerë personalisht i dëmtuar – qetësohuni, askush nuk e ka me ju – mund të kishit përfituar nga rasti për t’u kërkuar ndjesë zgjedhësve tuaj për ligjin e shëmtuar për mbetjet që do t’ua ketë kërkuar ndonjë këshilltari juaj. Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh ndjesë, në politikë bëhen gabime nënvlerësimi dhe askush nuk është imun…
7. Mund të kishit përfituar (sa për të dhënë një shembull) për të verifikuar se si shumë importues – jo vetëm të mbetjeve – “harrojnë” të marrin lejen e tranzitit të sanksionuar nga ligjet e ambientit në Shqipëri. Apo mos vallë dikush i mbron sipërmarrësit “harraqë” që trafikojnë me Shqipërinë?
8. Si ka mundësi që nuk i keni kërkuar “policisë fiskale” italiane, Guardia di Finanza që të jemi të qartë, bashkëpunim në një hetim që është thelbësor për të ardhmen ambientale të vendit tuaj dhe për shëndetin e bashkëqytetarëve tuaj? Vërtet që mund të keni pasur krizë marrëdhëniesh me ministrin e Brendshëm, siç thonë gazetat, por pak “intelligence” mund ta kishit ngarkuar me thellimin e nevojshëm, apo jo?
9. Zoti Kryeministër, jeni në dijeni që ekomafiet kanë blerë – direkt ose indirekt – shumë landfille në Evropë dhe Ballkan. Ju duket ide e mirë që t’ua besoni sipërmarrësve italianë landfillin e Tiranës pa marrë më parë mendimin e autoriteteve antimafia italiane, që bashkëpunojnë tërë kohën me ato shqiptare?
10. Dhe në fund, zoti Rama, e kishit menduar që qeveria juaj të tronditej vërtet nga ndjeshmëria ambientale? Dihet që njerëzit, edhe te ju, kanë ndryshuar. Kërkojnë ajër të pastër, ujëra pa ndotje, bukuri natyrore të paprekura… Historia italiane e helmeve që vrasin me tumore dhe leuçemi qindra mijëra qytetarë njihet edhe në vendin tuaj. Doni një këshillë? Në prag të zgjedhjeve, kërkoni ndjesë për atë ligj të shëmtuar për mbetjet.
Më besoni, zgjedhësit do t’ju kuptojnë. E ndoshta edhe mund t’ju falin…

Deputeti italian kërkon nisjen e hetimit mbi zhdukjen e kontenierëve

“Misteri” i vendndodhjes së 1300 kontenierëve me mbetje të nisura nga Italia me destinacion Maqedoninë ka sjellë edhe reagimin e deputetit italian, Riccardo Nuti, i cili ka kërkuar nisjen e një hetimi mbi zhdukjen e këtyre kontenierëve, pas mohimit nga qeveria maqedonase se këto mbetje kanë arritur në Shkup. Deputeti italian Riccardo Nuti, i Lëvizjes “5 Yjet”, i prononcuar për të përditshmen napolitane “Ottopagine.it”, ka kërkuar një hetim për zhdukjen e 1300 kontenierëve të mbetjeve, duke qenë se qeveria maqedonase ka mohuar mbërritjen e tyre në Shkup. “1300 kontenierë plot me mbetje të nisura nga Campania u nisën nga Porti i Gioia Tauro dhe duhet të mbërrinin në Shkup, por autoritetet maqedonase thonë se ato mbetje nuk e kanë kaluar kurrë kufirin nga Shqipëria”, thotë deputeti italian.  Për këtë arsye Nuti u ka dërguar letra zyrtare edhe ambasadave shqiptare e maqedonase në Itali. “Qeveria duhet të zbardhë këtë rast të errët dhe dorëheqja e ministrit të Brendshëm shqiptar nuk ishte rastësore”, ka deklaruar deputeti italian. Në një shkrim të së përditshmes napolitane “Ottopagine.it” thuhet: “Vitin e kaluar një trafik i madh mbetjesh ka përfshirë vendin tonë (Italinë), Shqipërinë dhe Maqedoninë për një total prej 28.600 tonë mbetje, që me shumë mundësi janë dhe të rrezikshme, fati i të cilave nuk dihet”.

PIN: 1300 kontenierë me plehra në Shqipëri

Qeveria shqiptare mohon që në Shqipëri të kenë hyrë kontenierë me lëndë kimike dhe këtë e tha edhe publikisht Edi Rama në një intervistë televizive të hënën, duke sulmuar dhe më pas thënë se do të hedhë në gjyq median italiane “Pianeta Italia News”.
Por dje kjo media italiane i është përgjigjur Edi Ramës, duke bërë publike edhe dokumentet e Portit të Durrësit dhe të Doganës së Qafë Thanës.
“Pianeta Italia News” shkruan se artikujt e saj “mbështeten mbi disa tabela, të cilët i kemi në zotërim”.
I pari, i ardhur nga Porti i Durrësit, tregon se më 2016, nga janari në dhjetor, në Shqipëri zbarkuan 24 816 kontenierë mallrash. Ata “nën akuzë” erdhën nga Porti i Gioia Tauros, në Kalabri.
Rreth 10 për qind e tyre ishin nisur për në Maqedoni, duke kaluar nga Porti i Durrësit në Qafë Thanë.
“Tabela të tjera që kemi në zotërim, të ardhur nga autoritetet doganore tregojnë analitikisht numrin e kontenierëve të tranzituar dhe prejardhjen e tyre. Nga të dhënat del në mënyrë të qartë që në Maqedoni kanë mbërritur vetëm 1140. Rreth 1300 mungojnë në apel, shkruan PIN që më pas pyet Edi Ramën. Pse, zoti Kryeministër, do të duhej të falsifikonim të dhëna që as nuk janë sekret e kësisoj mund të verifikohen lehtë? E pse duhet të mbrohemi nga dikush që na akuzon se kemi ‘shpikur’ një lajm, duke ditur që këto dokumente tashmë janë në duart e autoriteteve të ndryshme gjyqësore që po hetojnë ngjarjen?”.