Digjet banesa në Shkodër, humb jetën një i moshuar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Shkodër, ku një banesë dykatëshe u përfshi nga flakët, e për pasojë një i moshuar ka humbur jetën, duke u djegur i gjallë. Rasti është regjistruar në lagjen ‘Rus’ ku 74-vjeçari Haki Hoxha, ka mbetur i bllokuar brenda shtëpisë, pasi ajo u përfshi nga flakët dhe ka humbur jetën. Trupi i tij i pajetë është nxjerrë pas më shumë se 2 orësh ‘luftë’ me flakët jo vetëm nga zjarrfikësit, por edhe banorët. Viktima dyshohet se në momentin e rënies së zjarrit ka qenë duke fjetur, ndërsa bashkëshortja e tij e cila ndodhej në shtëpi ka arritur të shpëtoj nga flakët.
Bëhet e ditur se, banorët kanë shkuar në vendngjarje, duke punuar për fikjen e zjarrit. Madje disa prej tyre kacavirren në mur. Ngjarja ka hapur panik në të gjithë lagjen. Ndërkohë sipas raportimeve, zjarri rrezikoi edhe tre banesa të tjera ngjitur. Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishme 3 zjarrfikëse dhe forca të shumta policie. Dyshohet se shkak për zjarrin ka qenë shpërthimi i një bombule gazi. Policia ka evakuuar banorët nga shtëpitë që rrezikuan të digjeshin.
“Punonjësit e policisë kanë evakuuar shtetasin R.H së bashku me familjen. Ndërsa në banesën e shtetasit H.H., 74 vjeç, punonjësit e policisë dhe zjarrfikësit nuk u futen dot për shkak të përmasave të mëdha të flakëve që kishin përfshirë këtë banesë. Shtetasi H.H. sipas deklarimeve të bashkëshortes dyshohet se ka ngelur brenda në banesë, ndërsa bashkëshortja ka dalë pa pësuar lëndime. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, zjarrfikëset dhe autoambulanca. Veprimet po kryhen me grup hetimor, në përfundim do të jepet dhe informacion i plotë”, thuhet në njoftimin e policisë.