Dibala trondit Juven

Juventusi vazhdon i pashqetësuar kryesimin në Serinë A, pasi ka marrë fitoren e radhës, edhe pse në fakt ka vuajtur shumë për të siguruar suksesin në fushën e Sampdorias me shifrat 1-0. Gjithçka është vendosur nga goli i Kuadrados që në minutën e 7 të takimit, ndërsa më pas, edhe Sampdoria krijoi disa mundësi të mira shënimi me Kualjarelën që u shfaq disa herë rrezikshëm para katërkëndorit të ish-skuadrës së tij.
Megjithatë, Juventusi administroi mirë sidomos pjesën e dytë të ndeshjes, duke arritur të dilte me tre pikë nga stadiumi “Ferraris” për të konsoliduar vendin e parë në renditje. Por festa bardhezi është prishur disi nga dëmtimi i Dibala në pjesën e parë të takimit.
Fantazisti la fushën e lojës që në minutën e 27 pas një problemi muskulor duke shqetësuar Alegrin sepse pa të në fushë, Juventusi ka shfaqur shpesh vështirësi në krijimin e aksioneve të rrezikshme. Klubi ka caktuar disa vizita më të hollësishme mjekësore për argjentinasin.
Ndërkaq, në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja 3-0 e Atalantës së Etrit Berishës (këtë radhë në stol), përballë Peskarës së Memushajt, që luajti për 80 minuta. Skuadra e Gasperinit, duke përfituar edhe nga ndalesa e Lacios (me Strakoshën titullar), që ashtu si Interi një ditë më parë nuk arriti më shumë se një barazim, e sheh veten përsëri të përfshirë në luftën për një vend në Europa Ligë në sezonin e ardhshëm.
Edhe Roma ruajti hapin e Juventusit. Roma në “Olimpico” la pas zhgënjimin e eliminimit në Europa League nga Lyoni, falë fitores 3-1 ndaj Sassuolos. Edhe pse nuk kishin fituar asnjëherë në “Olimpico” që nga momenti që skuadra nga Reggio Emilia është bërë pjesë e Serisë A, verdhekuqtë e Luciano Spalletit këtë herë ia dolën të përmbysnin disavantazhin e një goli për të fituar në fund me shifrat 3-1. Finalizimit të Defrel në minutën e 9-të iu kundërpërgjigj Parades me një gol të bukur në të 16-tën. Në minutën e 3-t shtesë të pjesë së parë Salah i dha avantazhin Romës, ndërsa për të vulosur fitoren e skuadrës kryeqytetase dhe për ta çuar sërish në 8 pikë disavantazhin ndaj Juventusit kryesues në renditje mendoi Edin Dzeko që në të 68-tën realizoi golin e tij të 21-të në Serinë A këtë sezon.