Dhunohet mjeku në spital nga prindërit e një fëmije

198

Familjarët e një fëmije të sëmurë kanë dhunuar mbrëmjen e së enjtes mjekun pediatër të Spitalit Rajonal të Shkodres, Skënder Duka. Ata i janë drejtuar me urgjencë Pediatrisë për shtrimin e fëmijës së sëmurë, por mjeku pasi ka kryer ekzaminimin e tij, ka vendosur uljen e tij në repartin e Kirurgjisë.
Kjo ka irrituar familjarët dhe mësohet se në debat e sipër, babai i të miturit ka goditur mjekun. Ky i fundit ka bërë kallëzim në polici për ngjarjen, ndërsa në prononcimin për media shefia e Pediatrisë së Spitalit Rajonal Shkodër, Greta Naraçi sqaroi rrethanat e ngjarjes. “Fëmija ka ardhur me traumë të kokës, ne e kemi ulur në repartin tjetër dhe kjo ka revoltuar prindin. Ne udhëhiqemi me parimin prindi ka të drejtë, por në spostimin e fëmijës e kemi kryer bazuar në konsultë mjekësore. Sipas protokollit të trajtimit nuk ka as abuzim as vonesë nga mjeku”, u shpreh shefja e Pediatrisë.
“Prindi për ne gjithmonë ka të drejtë”, thotë mjekia Naraçi, teksa shton se të tilla situata për bluzat e bardha po kthehen në shqetësim. Pasi kanë bërë deponimin në polici, palët kanë firmosur një marrëveshje pajtimi.