Deputetët, 640 milionë lekë për udhëtime

Plot 640 milionë lekë të vjetra flitet të kenë shpenzuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe stafi i institucionit në fjalë për udhëtime jashtë vendit gjatë vitit 2016. Flitet për udhëtime jashtë shtetit, bileta avioni, hotele dhe dieta.
Këto shifra bëhen të ditura nga një raport financiar i Kuvendit të Shqipërisë i siguruar nga “Shqiptarja.com”. Kjo MEMO është firmosur nga sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla dhe është miratuar në mbledhjen e fundit të Byrosë së Kuvendit, ditën e enjte.
Axhenda e aktiviteteve ndërparlamentare ka qenë e ngjeshur gjatë vitit 2016. Kanë udhëtuar 418 staf dhe deputetë në destinacione të ndryshme (130 staf dhe 288 deputetë). Ndër ta, 10 kanë qenë jashtë Europës, si për shembull: drejt Uashingtonit, Nju Jorkut, në Filadelfia, Kinë apo Zambia.
32 milionë lekë janë shpenzuar për dieta, akomodim, transport aeroport-destinacion dhe anasjelltas”, thuhet në raportin financiar të Kuvendit për vitin 2016. Nga tabela krahasimore e përgatitur nga Kuvendi kjo shifër është tre herë më e lartë se e vitit 2012.
Shpenzime për udhëtim dhe dieta sipas viteve
2012 21 milionë lekë
2013 25 milionë lekë
2014 32 milionë lekë
2015 45 milionë lekë
2016 64 milionë lekë
Sa i përket parashikimeve në këtë drejtim për vitin 2017, flitet që shpenzimet të arrijnë në shifrën e 570 milionë lekë të vjetra.
“Shpenzimet për udhëtime jashtë vendit (bileta, hotel, dieta) janë detajuar në vlerën totale prej 57 milionë lekësh. Shpenzime për pritje dhe përcjellje e të tjera protokollare është parashikuar 16.5 milionë lekë”, thuhet në relacion.