De Biasi: Duhet të japim 150%

Përgatitjet për Italinë kanë nisur prej kohësh. Trajneri Gianni de Biasi ka nisur një tur vëzhgimi me elementët e Kombëtares. Deri në 24 mars ka ende kohë dhe padyshim që idetë i bluan prej kohësh, por ndoshta preferon të mos japë shumë pika referimi. Turin e konsideron diçka të zakonshme që e ka bërë prej kohësh, dikur me Tramezzanin sot me Marco Veronesen, një ndihmës me shumë eksperiencë në misionin për të monitoruar sa më mirë situatën. Konfirmon se grumbullimi i Kombëtares do të nisë në Durrës dhe vetëm një ditë para ndeshjes do të niset për Palermo, megjithatë si trajner dhe njeri që median e njeh mirë, preferon që efektin surprizë për ndonjë lojtar të ri ta ruajë për konferencën e shtypit që do të mbajë në Tiranë.
Situata me mbrojtjen është delikate pas dëmtimit të Mavrajt, që i shtohet pezullimit të Gjimshitit apo atij të Berishës. “Është një vështirësi më shumë, por duhet të njihemi më mirë me situatën, ta kuptojmë, duke synuar ta menazhojmë në mënyrën më të mirë të mundur”, u shpreh De Biazi.
Kukeli është një emër i lançuar menjëherë për të zëvendësuar Mavrajn në qendër të mbrojtjes, por këtu në përgjigjen e De Biasit mbetet misteri. “Mund të jetë një alternativë si të gjithë ata që do thirren. Nuk e di ende nëse do të thirret Kukeli, nuk e dimë listën. Ajo që është e sigurt është se do të studiojmë mënyrën ideale për t’u përballur me Italinë sa më mirë që mundemi, për t’i krijuar ndonjë vështirësi më shumë kësaj skuadre”, tha ai.
Ditët e fundit nuk kanë munguar zërat që kandidojnë për një ftesë Lorenc Trashin e Partizanit apo Enea Kolicin e Kukësit, por mbrojtja e informacionit nga De Biasi për listën është hermetike. “I kam parë i kam parë, bëni gjithë hipotezat, të hënën në datën 20 do të mësoni nëse janë të vërteta apo fantashkencë”, tha de Biazi.
Megjithatë edhe mes misterit ka qartësi, në veçanti kur flitet për situatën e Cikalleshit, një lojtar që do të jetë ndaj Italisë.
“Ka patur një problem të vogël fizik, por në të ardhmen me 99 për qind do të grumbullohet. Duhet ta ketë kaluar problemin dhe në ndeshjen tjetër duhet të jetë në dispozicion për skuadrën e tij”.
Italia është një kundërshtar i fortë, por De Biasi edhe pse e njeh mirë forcën e saj, e di se Shqipëria i ka shanset e saj. “Përballemi me një skuadër të fortë me lojtarë në formë, Belotti, Insigne apo Candreva, lojtarë me kualitet dhe që po luajnë me vazhdimësi. Ne duhet të përgatitemi jo me 100, por me 150 për qind për t’ju kundërvënë. Lojtarët duhet të luajnë edhe disa ndeshje deri në atë sfidë dhe të shohim si do të arrijmë, por do përpiqemi të nxjerrim më të mirën tonë për t’i shfrytëzuar shanset. Ndeshjet nuk janë kurrë të humbura para se t’i luash. Duhet t’i luash dhe pastaj varet shumë se si i luan dhe si i përgatit”, u shpreh ai.
Kundërsulmi është arma e tij e preferuar, sidomos kur pyetet mbi zërat që kanë qarkulluar së fundmi mbi të ardhmen e vetë De Biasit, duke nxjerrë në pah hipoteza si Kaljari apo Palermo. “Flisni gjithmonë ju, unë nuk flas kurrë, por të gjithë shkruajnë, unë e kuptoj që mediat duhet të nxjerrin lajme të reja, unë nuk flas të tretët më atribuojnë gjëra po skuadra, pastaj ju mendoni t’i rimerrni dhe nuk i verifikoni kurrë. Ky është dezinformim dhe jo informim”, tha De Biazi.
Një koment edhe për kandidaturën e Presidentit të Federatës, Armando Duka për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, këtu trajneri është i drejtpërdrejtë. “U gëzova shumë për kandidim, pasi besoj se është një ndër personat më kompentetë, më të aftë dhe që ka një eksperiencë menaxheriale më të mirë se shumë nga kandidatet e tjerë për atë detyrë. Do të ishte shumë bukur, nëse do t’ja dilte të arrinte objektivin e tij. Unë ja uroj me gjithë zemër, pasi kështu do të thotë se, Shqipëria ka një përfaqësim të rëndësishëm në botën e futbollit që vlen, dhe besoj se do të ishte edhe një mënyrë për të kuptuar që puna e presidentit është një punë që ndoshta është vlerësuar më shumë jashtë vendit se brenda tij”, përfundoi De Biazi.