DASH: 2 mijë plantacione me kanabis në Shqipëri

Shqipëria mbetet një burim i rëndësishëm për marijuanën dhe një rrugë e kokainës dhe heroinës që ka si destinacion tregjet europiane. Shifrat që publikon Departamenti Amerikan i Shtetit janë të frikshme. Ndërsa autoritetet shqiptare raportuan një rritje të sasisë së asgjësuar të kanabisit në 2016, pati gjithashtu të dhëna se, kultivimi i kanabisit u rrit”, thuhet në raportin për narkotikët të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Mbi 2 milionë e 450 mijë bimë kanabis mendohet se janë asgjësuar nga policia, ndërsa nga vëzhgimi me avionë janë zbuluar mbi 2 mijë plantacione të mbjella me kanabis. Sasia e heroinës së kapur në Shqipëri arrin mbi 57 kilogram, ndërsa kokainë pak më shumë se 7 kilogramë.
Ndërkohë në raportin për pastrimin e parave, Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur se Shqipëria është vend ku pastrohen lehtësisht paratë e drogës dhe ku sundon korrupsioni i shfrenuar. Raporti i institucionit thekson se, Shqipëria është “një vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve, mallrave kontrabandë dhe qenieve njerëzore dhe mbetet në rrezik për pastrimin e parave”.
Po ditën e djeshme Roja bregdetare italiane, (Guardia di Finanzia) publikoi Raportin Vjetor 2016, ku bëhet një bilanc i trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas raportit, gjatë operacioneve nga ajri dhe në det gjatë vitit 2016 janë bllokuar nga forca aeronavale e “Guardia di Finanza” rreth 32,8 tonë marijuanë. Raporti vlerëson se rreth 1900 persona janë arrestuar gjatë operacioneve të rojes bregdetare italiane.